Kosova pret që ta marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, deklaroi Kryeministri Albin Kurti në prag të nisjes së Samitit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel.
Sipas tij, një vendim i tillë është i vonuar nga unioni, shkruan A2.
"Nuk po kërkojmë shpërblim, privilegje apo favor. Po kërkojmë vetëm që të njihet dhe pranohet përparimi i Kosovës sa i përket avancimit demokratik, rritjes ekonomike, luftës kundër korrupsionit, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe lirive civile. Dhe jemi ose të parët ose të dytët në Ballkanin Perëndimor kur bëhet fjalë për indekse demokratike. Njëkohësisht, më lejoni të theksoj se derisa statusi kandidat ka qenë gjithmonë tejet i rëndësishëm, tani është çështje urgjence. E dimë që ka zgjedhje pothuaj çdo muaj në vende të ndryshme të kontinentit tonë dhe gjithçka ka rëndësi. Kështu që, duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për zgjerim të BE-së për përfshirjen e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor e posaçërisht që Republikës së Kosovës t'i jepet statusi i vendit kandidat si çështje e meritës, pasi qartazi e meritojmë atë", tha Kurti. (A2 Televizion)