
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se ai vetë, por edhe PD, e kishin të pamundur të ndikonin në vendimin e Departamentit të Shtetit, për të ndryshuar vendimin e shpalljes “non grata” të Sali Berishës.
“Ne nuk kishim në dorë asgjë, në vendimin e aleatit tonë strategjik. As mund ta ndikonim, as mund ta ndalonim. Shpallja “non grata” e Sali Berishës, është një vendim që është marrë nga aleati jonë strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju e dini se për muaj me radhë unë kam punuar me të dhe me partnerët tanë strategjik për të gjetur një zgjidhje pikërisht, për t’ia hequr këtë luks Edi Ramës. Por në fund, njeriu që me të vërtet ka bërë shumë për këtë parti, por dhe ka marrë shumë nga kjo parti, vendosi interesin e tij personal mbi interesat e demokratëve dhe ç’është më e keqja mbi interesat e të gjithë shqiptarëve. Kjo është e vërteta e qartë dhe e qëruar, gjithçka tjetër është gënjeshtër e sido që të serviret, prapë gënjeshtër ngelet”, tha Basha gjatë një takimi me strukturat e PD në Dibër.
Pas shpalljes “non grata” të tij dhe familjarëve, Sali Berisha e cilësoi tradhtar Bashën dhe bashkëpunëtor me Ramën. Ai nisi një tur foltoresh në të gjithë Shqipërinë që kulmuan me një kuvend kombëtar të mbajtur më 11 dhjetor, ku u votua për shkarkimin e Bashës si kryetar. Vendimi u ratifikua një javë më pas, me një votim të fshehtë në degët e PD në rrethe. Por Basha dhe shumica e kryesisë së PD nuk e njohin këtë kuvend dhe vendimet e dala prej tij. Ata organizuan një tjetër kuvend, më 18 dhjetor, ku sanksionuan në statutin e partisë që personat e shpallur “non grata” zhvieshen nga funksionet politike në parti.
Berisha dhe komisioni i rithemelimit që dolën nga kuvendi i 11 dhjetorit i kanë vendosur një ultimatum Bashës, për të liruar zyrat e selisë së partisë deri më 5 janar. Në një intervistë ekskluzive në A2 CNN, Berisha tha që, nëse Basha nuk e bënë këtë, atëherë ai do të nxirret paqësisht nga zyra nga anëtarësia e partisë. (A2 Televizion)