
Pas plot 5 vjetësh, Tirana e basketbollit të meshkujve rikthehet në finalet e titullit kampion. Skuadra që drejtohet nga ish-basketbollisti bardheblu Erkand Karaj ia doli të eliminojë kampionët e Teutës në gjysmëfinale, pasi fitoi edhe takimin e dytë me rezultatin 78-63.
Në një “Farie Hoti” të tejmbushur, bashkë me praninë e “Tirona Fanatics”, skuadra kryeqytetase e kontrolloi thuajse gjatë gjithë kohës ndeshjen, njësoj si në Durrës pak ditë më parë dhe në fund arriti të triumfonte me diferencë.
Tashmë, Tirana e Karajt zë një vend në finalet e “play off”, atje ku gjen surprizën e këtij viti, Besëlidhjen. Skuadra lezhjane e mirinvestuar këtë sezon, nuk e vuri në diskutim kalimin në finale në ballafaqimin e dyfishtë me Kamza Basket, të cilët i mundi në të dyja duelet me diferencë.
Besëlidhja është gjithashtu skuadra e cila e ka mbyllur sezonin e rregullt në vendin e parë, ndaj sfidat në finale mes tyre dhe Tiranës pritet të dhurojnë spektakël të vërtetë dhe surpriza. (A2 Televizion)