
Besëlidhja e ka nisur me fitore serinë e ndeshjeve finale të kampionatit kombëtar në basketbollin për meshkuj. Lezhianët mundën Tiranën me rezultatin 93-77, në një ndeshje të bukur dhe me shumë rivalitet.
Në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, bardheblutë e nisën takimin më mirë dhe mbyllën periodën e parë 22-19. Por festa kryeqytetase zgjati shumë pak.
Besëlidhja në periodën e dytë mori avantazh dhe shkoi në pushimin e ndeshjes me një diferencë prej 11 pikësh në favorin e saj. Në dy periodat e tjera lezhjanët ruajtën avantazhin, madje e thelluan dhe më shumë atë.
Ndërsa bardheblutë u treguan disa herë të pasaktë me tentativat për 3 pikë dhe gjithçka u mbyll 93-77 në favor të lezhjanëve.
Më i mirë në parket ishte amerikani Bernard që shënoi 28 pikë, ndërkohë që për Tiranën u veçua Hamati me 26.
Ndeshja e dytë mes këtyre dy ekipeve do të luhet të shtunën në sallen sportive “Feti Borova”. Ekipi që regjistron i pari tri fitore shpallet kampion i Shqipërisë. (A2 Televizion)