Bayern “mbush” Kupën e 20, bën dopietë në Gjermani

Nga A2 CNN
4 Korrik 2020, 22:00 | Futboll

Bayern Munchen shkatërroi 4-2 Bayer Leverkusen në Berlin, për të fituar kështu Kupën e Gjermanisë për herë të 20 në historinë e vet.

Serinë e golave e hapi David Alaba me një goditje dënimi të realizuar mjeshtërisht pas çerek ore lojë. Në të 24’ ishte Gnabry që shënoi po aq bukur golin e dytë, pas një kundërsulmi të shpejtë, duke kaluar të gjithë me shpejtësi e duke goditur saktë në diagonale. Robert Lewandowski shënoi golin e tretë për bavarezët me një gjuajtje nga distanca.

Leverkusen shkurtoi diferencën me Sven Bender nga një goditje këndi në të 63’. Në minutat në vazhdim, Leverkusen rrit presionin dhe rrezikon disa herë për të shënuar sërish dhe për të rihapur sfidën. Por një minut para fundit të kohës së rregullt Lewandowski shënoi golin e dytë personal (të gjashtin në Kupën e Gjermanisë) për të mbyllur përfundimisht sfidën.

Në kohën shtesë, Kai Havertz shënoi golin e dytë për Leverkusen, me 11-metërsh, pas një prekje të topit me dorë nga Davies në zonë.

Edhe pse nuk realizoi, një mbrëmje e veçantë ishte për Thomas Muller, i cili fitoi për herë të gjashtë kompeticionin, në 8 finale të luajtura, shifër rekord kjo, duke barazuar pjesëmarrjet në finale të legjendës së klubit, Franck Ribery.

Mbrëmje rekordesh edhe për sulmuesin e Bayern, Lewandowski, i cili me dygolëshin e realizuar shkoi në kuotën e 8 golave të shënuar në finalet e Kupës së Gjermanisë, më shumë se kushdo tjetër në historinë e këtij kompeticioni.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos