
Në Shqipëri, bastet sportive janë të jashtëligjshme, por kjo nuk e ndalon që eventet sportive në vend të kuotohen nga kompanitë ndërkombëtare për përdoruesit nga mbarë bota. Ajo që e “përjashton” kampionatin shqiptar të figurojë në kuotimet në baste, janë dyshimet e forta për trukime të ndeshjeve, me qëllim përfitimin e paligjshëm.
Pas ngjarjes së regjistruar në përballjen ndërmjet Bylisit dhe Tiranës në Kupë, kompanitë më të mëdha botërore kanë vendosur të bojkotojnë Kategorinë Superiore, duke nisur nga java e 32-të.
Kur kanë mbetur vetëm 5 ndeshje nga mbyllja e sezonit, askush nuk i ofron më koeficientët e skuadrave shqiptare. Kjo është lehtësisht e vërtetueshme prej dy sfidave të kësaj të diele, Laçi-Flamurtari dhe Luftëtari-Vllaznia. Operatorët më të mëdhenj në botë të biznesit të basteve theksojnë se “për momentin, asnjë ‘bookmaker’ nuk i ofron koeficientët e ndeshjeve”.
Një tregues i qartë se kampionati shqiptar ka humbur besueshmërinë dhe është vendosur sërish në qendër të akuzave për trukime. (A2 Televizion)