Juventus dominon në derbi, “zhbllokohet” Ronaldo

Nga A2 CNN
4 Korrik 2020, 19:16 | Futboll

Juventus festoi në mënyrën më të mirë të mundshme rekordin e ndeshjeve në Serie A të portierit Gigi Buffon, duke mundur 4-1 Torino-n në derbin e qytetit.

Bardhezinjtë treguan se nuk kishin ndërmend të lëshonin pe që në fillim dhe gjetën golin e parë në minutën e tretë falë një magjie të Dybala, i cili pasi driblon disa kundërshtarë kalon topin në rrjetë pas shpinës së Sirigut. Pa u mbushur gjysmë ore lojë, Cuadrado dyfishon rezultatin me një gjuajte të saktë, pas pasimit të zgjuar të Ronaldos.

Në shtesën e pjesës së parë, Belotti shndërroi në gol një penallti të fituar pas një prekje të topit me dorë nga De Ligt.

Por kjo nuk do të mjaftonte për të rihapur takimin. Në të 61’, ishte Ronaldo që realizoi një gol të shkëlqyer me goditje dënimi. Ky ishte goli i parë i portugezit me goditje dënimi në Serie A, pas 43 përpjekjesh.

Në fund, një autogol i Koffi Djidji, plotësoi “pokerin” në favor të bardhezinjve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos