BE dhe SHBA kërkojnë lirimin e kritikut Alexei Navalny

Nga A2 CNN
18 Janar 2021, 07:27 | Bota
BE dhe SHBA kërkojnë lirimin e kritikut Alexei Navalny

Shtetet e Bashkuara dhe disa qeveri evropiane kanë kërkuar lirimin e politikanit të opozitës, Alexei Navalny, nga paraburgimi rus.

44-vjeçari Navalny u arrestua nga policia menjëherë pasi udhëtoi nga Gjermania dhe mbërriti në Moskë të dielën. Aktivisti po kthehej në vend, pesë muaj pasi u helmua me agjent nervor, për të cilin ai fajësoi autoritetet ruse.

Qeveria e presidentit Vladimir Putin mohon helmimin e z. Navalny, por pohimet e politikanit të opozitës janë mbështetur nga raportet e gazetarëve hulumtues.

Duke reaguar ndaj arrestimit të tij, SHBA dhe BE bënë thirrje që z. Navalny, një kritik i Presidentit Putin të lirohej.

Sekretari i Shtetit i SHBA, Mike Pompeo, tha se autoritetet ruse po përpiqeshin t’i mbyllnin gojën kritikëve të tyre. Ai bëri thirrje për "lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar" të z. Navalny.

Këshilltari i ardhshëm i sigurimit kombëtar të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, shpërtheu me një ton të ngjashëm.

"Sulmet e Kremlinit ndaj z. Navalny nuk janë thjesht një shkelje e të drejtave të njeriut, por një ofendim ndaj popullit rus që dëshiron të dëgjohet zëri i tyre", tha Jake Sullivan.

Jo më pak i ashpër ishte dhe reagimi nga Bashkimi Evropian. Franca, Italia dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, kanë bërë apel për lirimin e z. Navalny.

Në deklaratën e saj, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar tha se ishte "thellësisht e shqetësuar" nga arrestimi i Z. Navalny, duke shtuar: "Në vend që të përndjekin viktimën e këtij krimi të tmerrshëm, autoritetet ruse duhet të hetojnë se si një armë kimike u përdor në tokën ruse”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos