
Bashkimi Europian mund të dakordësohet për një embargo të importeve të naftës ruse, brenda pak ditëve. Lajmin e konfirmon Gjermania, anëtarja më e madhe e bllokut dhe një prej shteteve më hezituese për të ndërmarrë një hap të tillë.
Në një deklaratë për televizionin ZDF, ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, u shpreh se “do të arrijmë marrëveshjen brenda pak ditëve. Komisioni Europian dhe Shtetet e Bashkuara po punojnë bashkërisht mbi një propozim për të kufizuar rritjen e çmimeve globale të naftës. Është natyrisht një masë e pazakontë, por këto janë kohëra të pazakonta.
Shumë prej 27 vendeve anëtare janë tejet të varura nga energjia ruse, çka ka nxitur kritikat e Kievit se blloku nuk ka vepruar aq shpejt sa duhet për të prerë furnizimet.
Moska plotëson 40 për qind të nevojave për gaz natyral të BE dhe 27 për qind të naftës së importuar, me BE-në që paguan Rusinë rreth 400 miliardë euro në vit.
Hungaria i qëndron kërkesave të saj për investime në energji para se të dakordësohet për një embargo të tillë, duke u përplasur me pjesëtarët e tjerë të bllokut që quan një aprovim të shpejtë të masës. Bashkimi europian ka ofruar deri në 2 miliardë euro për vendet e Europës Qendrore dhe lindore, në mënyrë që t’i bëjnë ballë mungesës së naftës ruse.
E ndërsa lidhjet ekonomike me SHBA-në dhe Europën po priten, Moska po mendon të kompensojë humbjet duke zhvilluar lidhjet me Kinën. “Nëse Perëndimi do të na ofrojë diçka për të rikthyer marrëdhëniet, ne do ta konsiderojmë seriozisht nëse do të jetë nevoja ta bëjmë apo jo. Por tani që Perëndimi ka marrë pozicionin e diktatorit, lidhjet tona ekonomike me Kinën do të zhvillohen edhe më shpejt.
Lavrov akuzoi shtetet perëndimore për “rusofobi” që prej nisjes së atij, që e quan operacion special në Ukrainë. (A2 Televizion)