BE kritikon Kosovën, Stano: Shkarkimi i ekipit menaxhues shkel marrëveshjet

Nga A2 CNN
4 Maj 2023, 18:55 | Kosova
BE kritikon Kosovën, Stano: Shkarkimi i ekipit menaxhues shkel

Bashkimi Europian kritikon Kosovën për shkarkimin e ekipit menaxhues. Zëdhënësi Peter Stano tha se një vendim i tillë shkel përmbajtjen dhe frymën e marrëveshjeve të pranuara në kuadër të dialogut në Bruksel. Ai bëri të qartë edhe periudhën kur përfundon puna e ekipit menaxhues.

“Në marrëveshjet e dialogut, thuhet qartë se ekipi menaxhues duhet të ekzistojë derisa të miratohet statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ajo që ndodhi të martën ishte se ekipi drejtues propozoi dhe dorëzoi draftin e parë. Kjo do të thotë që ne filluam procesin dhe procesi nuk ka përfunduar akoma. Prandaj, vendimi për shpërbërjen e ekipit menaxhues, shkel përmbajtjen dhe frymën e marrëveshjeve dinamike, dhe çdo vendim në lidhje me Ekipin Menaxhues duhet të miratohet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja,” u shpreh Stano.

Zëdhënësi i BE-së shtoi se anëtarët e ekipit menaxhues janë propozuar nga Serbia dhe emëruar zyrtarisht nga qeveria e Kosovës.

Por, kryeministri Albin Kurti refuzoi menjëherë draft-statutin e paraqitur nga ai grup, duke thënë se koordinatorja Danijela Vujiçiç, është në konflikt interesi, pasi ushtron detyrën e deputetes në parlamentin e Serbisë.

Lidhur me qëndrimin e Brukselit ka ardhur edhe një reagim nga qeveria e Kosovës. Një këshilltar politik i kryenegociatorit Besnik Bislimi, hodhi poshtë pretendimin e BE se Kosova ka vepruar në kundërshtim me marrëveshjen për normalizimin e raporteve Prishtinë-Beograd.

Klisman Kadiu nënvizoi se Brukseli duhet ta ketë të njëjtën gatishmëri për të dënuar edhe shkeljet që Serbia i ka bërë marrëveshjes bazë.

Lidhur me zbatimin apo mos zbatimit të saj, Peter Stano paralajmëroi se do të ketë pasoja për anëtarësimin e të dyja shteteve në BE, por edhe pasoja konkrete, politike dhe ekonomike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos