
Bashkimi Europian kritikoi Kosovën për vendimin lidhur me hapjen e ambasadës së saj në Jeruzalem, ndërsa përshëndeti vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin.
“Të gjitha ambasadat e vendeve anëtare të BE-së dhe delegacioni i BE-së janë në Tel Aviv dhe kjo është në përputhje me rezolutën e Kombeve të Bashkuara dhe vendimet e Këshillit të BE-së”, tha zëdhënësi I Unionit, Peter Stano.
Ai shtoi se vendimi I Kosovës është për të ardhur keq. Zëdhënësi tha se nuk kërkon nga Prishtina të bëjë apo të mos bëjë diçka, teksa u përball me pyetjen se me çfarë të drejte, BE e orienton Kosovën të hapë apo të mos hapë diku ambasadën, kur Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike me Unionin.
Stano përsëriti se kjo ndodh për shkak të mos njohjes së pavarësisë nga 5 shtete anëtare, por nënvizoi se kontaktet si vend partner janë të rregullta. (A2 Televizion)