BE paralajmëron Serbinë për Rusinë, Borrell: Të zbatohet marrëveshja, hiqni dorë nga provokimet

Nga A2 CNN
23 Maj 2023, 10:12 | Kosova
BE paralajmëron Serbinë për Rusinë, Borrell: Të

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, paralajmëroi Serbinë se aspiratat e saj euroatlantike nuk përkojnë me raportet që Beogradi ka me Rusinë.

“Mbajtja e lidhjeve të ngushta me Rusinë nuk është në përputhje me procesin e saj të anëtarësimit në BE dhe gjithashtu është e dëmshme për interesin kombëtar të Serbisë".

Borrell foli pas takimit të ministrave të shteteve anëtare dhe atyre të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Këshillin e Punëve të jashtme në Bruksel, ku u diskutua për situatën në rajon dhe normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Borrell u kërkoi shteteve që nuk kanë përshtatur politikën e jashtme me atë të Bashkimit Europian që të ndryshojnë sjelljen e tyre. Serbia është shteti i vetëm në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, duke mos ndjekur shembullin e Brukselit. Ndërkaq, duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, shefi i diplomacisë së BE, u bëri thirrje palëve që të zbatojnë të gjitha detyrimet që dalin nga ky proces dhe t’i japin fund tensioneve dhe sjelljeve provokuese.

“Zbatimi i plotë dhe i shpejtë i marrëveshjes, është e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Tensionet dhe provokimet e ndërsjella duhet të marrin fund. Atmosfera negative dhe mungesa e konstruktivitetit gjithashtu duhet të ndalojë. Të jesh anëtar i Bashkimit Evropian do të thotë të jesh në gjendje të bashkëpunosh dhe të veprosh si fqinj i mirë, duke kapërcyer të gjitha vështirësitë e së kaluarës”, theksoi Borrell.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha se ishte ankuar te shtetet anëtare për shkeljen e marrëveshjes nga ana e Serbisë, ndërsa theksoi se Suedia që mban presidencën e radhës së BE-së po diskuton me anëtarët e tjerë për aplikimin e Kosovës në bllok. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/05/22/marreveshja-kosove-serbi-escobar-arritje-historike-e-detyrueshme-ne-cdo-menyre/
https://a2news.com/2023/05/20/nuk-do-te-kete-kosove-te-pavarur-vucic-fton-qytetaret-ne-marshim-duhet-te-ruajme-shtetin-tone/

A2 CNN Livestream

Latest Videos