
Nuk do të ketë Kosovë të pavarur. Kështu u shpreh presidenti serb Aleksandër Vuçiç në një takim të partisë së tij progresive, në Pançevë. Sipas tij, ka pritshmëri nga ndërkombëtarë, që Beogradi të dorëzojë Kosovën në një pjatë.
“Bëni çfarë të doni, jashtë dhe brenda, por unë nuk do të lejoj që të shkatërrohet Serbia, dhe nuk do të ketë Kosovë të pavarur”.
Vuçiç shtoi më tej se nuk do të lejojë që qeverisja të ndryshohet me forcë, nën ndikimin e tjerëve nga jashtë dhe as të zbatojë politika kundër interesave të Serbisë. Nuk do t’i shërbej kurrë të huajve, ishte deklarata e tij.
“Ata nuk do ta udhëheqin politikën e jashtme të Serbisë. Ata nuk do të vendosin për mua se kë të sanksionoj, ata nuk do të vendosin për mua nëse Serbia do t’i bashkohet NATO-s. Njerëzit do të vendosin”.
Ai i ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në një marshim të planifikuar nga partia e tij në Beograd, gjatë ditë në vazhdim. “Jo zmbrapsje, jo dorëzim, ne do ta ruajmë shtetin tonë”, u shpreh Vuçiç. (A2 Televizion)