BE shuan shpresat e May, nuk ka negociata të reja

Nga A2 CNN
14 Dhjetor 2018, 10:52 | Bota

Krerët e Bashkimit Evropian ja bënë të qartë kryeministres britanike Theresa May se marrëveshja e Brexitit nuk do të rinegociohet.
Kjo e fundit u kërkoi atyre garanci ligjore lidhur më çështjen e kufirit të Irlandës së veriut, në mënyrë që të mundësonte miratimin e ujdisë në parlament.

Sipas saj marrëveshja do të ishte në rrezik nëse shqetësimet e ligjvënësve britanikë nuk do të adresoheshin. Por presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk përjashtoi mundësinë e negociatave të reja.


Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk

“Këshilli Evropian rikonfirmon përfundimet e 25 nëntorit të vitit 2018-të, kur u dakordësuam për marrëveshjen e shkëputjes dhe miratuam deklaratën politike. BE i qëndron marrëveshjes dhe ka ndër mend të procedojë me ratifikimin e saj. Nuk jemi të hapur për negociata”, deklaroi Tusk.

Sipas tij, mekanizmi frenues për Irlandën e veriut synon të parandalojë rikthimin e kufijve të fortë dhe të sigurojë integritetin e tregut të përbashkët.


Jean-Claude Juncker

Gjithashtu, presidenti i Komisionit evropian Jean-Claude Juncker tha se do të kishte sqarime por jo ndryshime të kushteve. Ai i kërkoi Britanisë së Madhe të jetë me e qartë në kërkesat e saj, duke shtuar se komisioni do të përgatitet për mundësinë e një Brexiti pa marrëveshje.

Juncker kërkoi që ”miqtë tanë të na thonë se çfarë presin gjatë javëve në vazhdim, pasi ne po zhvillojmë një debat shpesh herë e mjegullt. Ne 19 dhjetor do të publikojmë të gjitha informacionet e nevojshme lidhur me skenarin e një Brexiti pa marrëveshje”.

Macron dhe Merkel "shkundin" kokën: Nuk rihapim një marrëveshje të ligjshme

Edhe liderët e vendeve të Bashkimit Evropian u treguan të vendosur sa i përket marrëveshjes së Brexit.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron përjashtuan mundësinë e rishikimit të saj, madje Merkel pohoi se BE duhet të përgatitet për opsionin e largimit pa marrëveshje.

Merkel dhe Macron

“Ne të gjithë mendojmë se integriteti tregut të vetëm duhet të ruhet, marrëveshja e mirë e së premtes duhet të respektohet. Por në të njëjtën kohë duhet që të jemi të përgatitur në nivel Evropian dhe kombëtar për një Brexit pa marrëveshje. Dëshira jonë është gjithsesi që të kemi një ujdi, por nuk do të diskutojmë përsëri marrëveshjen, pasi u negociua dhe është e vlefshme”, deklaroi kancelarja Gjermane.

https://a2news.com/2018/12/12/theresa-may-i-mbijeton-votebesimit-ne-parlament/

I të njëjtit mendim presidenti francez Emmanuel Macron. “Çdo diskutim tjetër për kushtet është pjesë e kësaj marrëveshje, por mendoj se është e rëndësishme që t’i shmangim të gjitha paqartësitë. Ne nuk mund të rihapim një marrëveshje të ligjshme. Ne nuk mund të rinegociojmë atë që është negociuar tashmë. Në këtë kontekst, ne mund të kemi diskutime politike dhe i takon Theresa May të na tregojë se çfarë zgjidhje politike ka ndërmend të arrijë në mënyrë që të fitojë mbështetjen e mazhorancës për këtë marrëveshje”.

Theresa May anuloi votimin e marrëveshjes së Brexit në parlament mes mungesës së mbështetjeve në radhët e ligjvënësve.

Kritikët mendojnë se mekanizmi frenues që parandalon kthimin e kufijve të fortë me Irlandën e Veriut do të mbaje Britaninë e Madhe të mbërthyer brenda rregullave të BE-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos