Alimehmeti: Sheshi të votojë kandidatin e Tiranës, ne ta mbështesim

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2026, 21:58 | Politikë

Ilir Alimehmeti, anëtar i Këshillit Kombëtar i Partisë Demokratike, sugjeroi që kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës të dalë nga votimi në shesh.

“Interesi publik prevalon ndaj interesit vetjak. Nevojitet një konsensus, duhet përfaqësim i komplet spektrit opozitar dhe duhet të përfaqësohen të gjithë. Konsensusi pastaj cakton mekanizmin që sjell një emër të përveçëm në fund. Unë vetë kam sugjeruar që kur të mblidhet tavolina, të vendoset që të votojë sheshi kandidatin që do. Opozita, me konsensus, të mbështesë kandidatin që do të vendosë sheshi. Rrugë më demokratike dhe më transparente nuk mendoj dot. Ata që banojnë në Tiranë të shkojnë dhe të shprehen. Më pas, ne t’i qëndrojmë atij vullneti”, tha Alimehmeti në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Unë nuk e kam problem fare të mbështes atë që del. Sepse interesi publik prevalon mbi interesin vetjak. Sa më shumë veta ta kuptojnë këtë, aq më mirë do të bëhet për të gjithë ne. Nëse nuk e kuptojnë këtë, atëherë do të fitojë më i forti. As sondazhe, as primare, por mendimi i sheshit”, shtoi Alimehmeti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos