Bebe Rexha rikthehet e fashuar në skenë pas goditjes me telefon në fytyrë

Nga A2 CNN
22 Qershor 2023, 13:52 | Showbiz

Dy ditë pasi përfundoi në spital me tri qepje mbi vetull dhe syrin e nxirë, sepse një prej fansave e goditi në fytyrë me telefon gjatë performancës në Nju-Jork, Bebe Rexha është rikthyer sërish të performojë.

Në videon e publikuar nga TMZ, këngëtarja shqiptaret shihet sërish me fashë mbi sy gjatë performancës së të martës në The Fillmore në Filadelfia.

Bebe u përpoq të qetësonte turmën duke u dhënë informacion mbi gjendjen e saj dhe gjeti kohën të bënte edhe batuta me incidentin që i ndodhi.

Nuk ka telefona në fytyrën time sonte, ju lutem. Ju lutem”, dëgjohet të thotë Bebe.

Për të vazhduar më tej me humor, këngëtarja kërkoi që një anëtar i stafit të pastronte sendet në skenë teksa ajo pinte ujë, duke thënë se nuk mund të përballonte një mavijosje të dytë nëse rrëshqiste.

A mund të marrim dikë që ta pastrojë këtë. Unë u qepa tre herë. Nuk mund të marr një goditje tjetër”, tha ajo me shaka.

Gjatë përfundimit të performancës së saj, Bebe bëri shaka sërish me turmën duke thënë: “Pa telefona në fytyrë këtë herë, faleminderit Zotit”.

Sakaq, 27-vjeçari Nicolas Malvagna akuzohet për plagosjen e yllit të popit duke i hedhur telefonin e tij në fytyrë gjatë performancës së saj të dielën mbrëma. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos