
Në vitin 2013, kur qeveria Rama erdhi në pushtet, premtoi 300 mijë vende pune brenda mandatit të parë, si dhe rilindjen e ekonomisë. Sot, qeveria ndodhet në mesin e mandatit të dytë dhe për ekonominë ka shumë për të folur.
Tregu i punës mbetet një ndër sfidat kryesore. Kjo veçanërisht përballë një vale emigrimi që është gjallëruar vitet e fundit.
Në studion e A2 Business Week, deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqaj, pranoi se premtimi për 300 mijë vende pune nuk u mbajt: “Premtuam 300 mijë vende pune dhe sot jemi 275 mijë vende më shumë. Nuk është ajo që u angazhuam, por nuk është pak në raport me situatën e punësimit deri në vitin 2013”.
Në lidhje me çështjen e largimeve nga Shqipëria, Beqaj theksoi se në rastin e mjekëve dhe infermierëve shkaku është një zinxhir largimesh edhe në vendet e tjera: “Mjekët dhe infermierët nuk ikin vetëm prej pagës më të mirë. Fakti që në Gjermani ka një kërkesë kaq të madhe për mjekë është se mjekët gjermanë kanë ikur në Danimarkë dhe ata danezë në Amerikë”.
Beqaj shtoi se të ardhurat e njerëzve të zakonshëm janë rritur vitet e fundit, por, sipas tij, emigrimi “lidhet me një kërkesë që ende Shqipëria nuk ka atë nivel që kanë vendet evropiane dhe është një dëshirë e njerëzve, pasi ne ende nuk e ofrojmë dot atë që është atje”.
“Në sektorin publik të ardhurat reale të njerëzve janë rritur me 7% në 4 vitet e fundit. Shqiptarët sot konsumojnë më shumë dhe në 5 vite radhazi anketa e shpenzimeve familjare tregon që shpenzojnë më shumë. Ndërkohë, depozitat bankare kanë ardhur në rritje dhe pesha e tyre në të gjitha depozitat është rritur nga 52% në 56%. Shqiptarët konsumojnë më shumë, kursejnë më shumë dhe udhëtojnë më shumë jashtë vendit. Shpenzimet për hotele dhe restorante janë rritur me 7-8% në vit. Numri i automjeteve është rritur me 80 mijë automjete në 4-5 vite. Shqiptarët jetojnë më mirë sesa para vitit 2013”, deklaroi Beqaj.
Ndërkohë, Kastriot Sulka, drejtor i Institutit për Studime Ekonomike dhe Sociale, ka një shpjegim tjetër për largimin nga vendi të shqiptarëve.
“Fakti që kanë ikur njerëzit nga vendi, do të thotë se e kanë ndjerë në xhep që situata nuk është më e mirë sesa ishte. Pasi të mësohet syri me fshatrat që janë bërë të bukur, njeriu ikën kur e shikon se nuk ka çfarë të dërgojë në shtëpi. Jemi në prag katastrofe, është bërë trend largimi nga vendi. Jemi baraz me Eritrenë përsa i përket largimit të jakave të bardha”, u shpreh Sulka. (A2 Televizion)