Bashkitë nuk paguajnë sigurimet shoqërore të punonjësve. Vetëm vitin e fundit 7 bashki i janë shtuar listës debitore të tatimeve. Bëhet fjalë për bashkinë e Kavajës, Krujës, Rrogozhinës, Tepelenës, Pustecit, Divjakës si dhe atë të Himarës.
Për ish-zëvendësdrejtorin e Tatimeve, Flobenc Dilaveri, kjo vjen si rezultat i keq menaxhimit të fondeve nga pushteti vendor.

“Tregon mungesën e disiplinës financiare dhe keq menaxhimin e fondeve buxhetore. Jam i sigurt që fondet i kanë ardhur Bashkive. Për hir të së vërtetës, asnjë nuk i mbron nga momenti që është shteti që shkel ligjin, nëpërmjet institucioneve të veta ose persona të caktuar”, thotë ai për A2.

Në një kohë kur ministria e Financave ka urdhëruar vendosjen e një administratori në krye të bashkive që nuk shlyejnë detyrimet e prapambetura, sipas Dilaverit shanset për shlyerjen e plotë të borxhit janë zero.
“Asnjë shans, e para sepse ata që drejtojnë bashkitë janë punonjës politik, qe nuk kanë si objektiv mirë menaxhimin por motivin politik”, shton Dilaveri.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, detyrimet e prapambetura të pushtetit vendor arrijnë në total në 6.2 miliardë lekë. (A2 Televizion)