Fjalët që do të dëgjoni sot nuk janë të një gazetari që thjesht tregon një histori. Janë fakte. Janë shifra. Janë realitete të tronditshme, të shkruara në një raport zyrtar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucioni më i lartë i auditimit në vendin tonë.
Ky raport zbulon një tablo të dhimbshme mbi trajtimin e pacientëve me kancer në Shqipëri: protokolle të vjetra që nuk janë përditësuar që nga viti 2014. Mungesë ilaçesh. Pajisje që prishen çdo javë. Spitale të tejmbushura. Një sistem që duket se më shumë i lodh, sesa i ndihmon ata që luftojnë për jetën e tyre.
Vetëm 19 poltrona në Spitalin Onkologjik për të përballuar 80 pacientë në ditë që kërkojnë kimioterapi. Shumë prej pacienteve udhëtojnë çdo ditë nga rrethet për të marrë trajtimin, sepse spitali nuk ka shtretër për t’i mbajtur. Dhe për ata që janë në fund të jetës, nuk ka as shërbim që të lehtësojë dhimbjen, të kujdeset për ta, t’i mbështesë ata dhe familjarët e tyre. Kjo quhet ndryshe kujdes paliativ, ndihma për ata që nuk mund të shërohen, por meritojnë të vuajnë më pak, shkruan A2 CNN.
Por ky nuk është problemi i vetëm.
Ky nuk është thjesht një sistem që nuk funksionon. Ka edhe më keq: abuzim.
Nuk është e largët koha kur u zbulua se disa mjekë të Spitalit Onkologjik përvetësonin ilaçet e shtetit ilaçe të shtrenjta, të destinuara për pacientët që luftojnë me jetën dhe i shisnin në klinikat e tyre private. Po, në vend që t’ia jepnin falas dikujt që kishte nevojë për të jetuar, i shisnin. Dhe përfitonin mbi dhimbjen. Mbi hallin. Mbi sëmundjen.
Në këtë realitet të errët, spitalet rajonale janë veçse ndërtesa me tabela. Në Lezhë, njësia e kimioterapisë nuk funksionon. Në qytetet e tjera mungojnë mjekët, pajisjet, shtretërit, madje edhe regjistrat mbahen me dorë. Askush nuk e di me saktësi sa pacientë trajtohen, sa presin, sa humbin rrugës, shkruan A2 CNN.
Mes gjithë kësaj errësire, ekzistojnë edhe histori që ndriçojnë. Në këtë emision do të njihni Blerinën, një grua që ka mposhtur kancerin tri herë. E vetme. Me vullnet, forcë dhe dashuri për jetën. Në një sistem që nuk i ofroi as shërbim, as mbështetje, as drejtësi.
Vëllai i saj nuk ia doli. Nëna e saj është ende në betejë.
Por Blerina është këtu dhe historia e saj është dëshmi se forca njerëzore mund të jetë më e madhe se çdo sistem i deformuar që nuk funksionon. (A2 Televizion)
