
Sali Berisha, nga selia e Partisë Demokratike, u shpreh se protesta e djeshme kundër “Ballkanit të hapur” pati “jehonë të gjerë botërore”, ndërsa denoncoi atë që e quajti keqtrajtim të të ndaluarve nga policia.
“Interesi kombëtar ka mbetur jetim prej 8 vitesh. Ndërsa Partia Demokratike e rithemeluar tregoi dje se interesi kombëtar ka një avokat të fuqishëm. Kjo nuk është protestë kundër bashkëpunimit rajonal, por kundër aleancës treshe të Serbisë dhe vasalëve të saj, që largon Ballkanin nga Europa dhe vendos hegjemoninë serbe në rajon, duke e bërë rajonin zonë të influencës ruse. Këto përbëjnë motive madhore për protestën tonë, që pati jehonë të gjerë botërore”, tha Berisha.
“Dënoj disa akte brutale të narko-policisë, që arrestoi dhe keqtrajtoi mbrëmë adoleshentë dhe njerëz të pafajshëm. Unë paralajmëroj narko-policinë se revolucioni ynë paqësor nuk do të tolerojë dhunimin e të drejtave të njeriut dhe trajtimin çnjerëzor të pjesëmarrësve në protesta. Mbrëmë, deri në orën 1 të natës, në qelitë e komisariateve janë mbajtur 15-vjeçarë, por edhe burra të moshuar 84-vjeçarë. Komisariati numër 2 i ka keqtrajtuar të ndaluarit”, shtoi ish-kryeministri. (A2 Televizion)