
Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar ambasadoren amerikane Yuri Kim se ka ndërhyrë në procesin e gjykimit të ankesës së paraqitur kundër vendimit të gjykatës së Tiranës për regjistrimin e Statutit të Kuvendit të 11 dhjetorit 2021. Sipas Berishës Kim ka kërkuar ndihmën e qeveritarëve të rëndësishëm të Partisë Socialiste për ndërhyrjen në këtë çështje.
Ai e cilëson këtë një akt të rëndë dhe të papranueshëm, pasi cenon pavarësinë e gjykatave, ndërsa ndërhyrja e ambasadores Berisha e quan shkelje të sovranitetit dhe ligjeve të vendit.
Ai i bën thirrje Departamentit të Shtetit të mos lejojë ndërhyrjet e palejueshme të ambasadores Kim në proceset gjyqësore dhe pavarësinë e drejtësisë në Shqipëri.
Pranimin e ankimit të Alibejat nga Gjykata Berisha e konsideron në kundërshtim me kodin e procedurës civile dhe praktikën e gjykatave deri më sot.
Njoftim për shtyp
Gjatë këtyre ditëve, në konferencat e mia për shtyp, sot paradite dhe të premten e shkuar, kam njoftuar mediat dhe publikun se Znj. Kim, ambasadore e SHBA në Tiranë ka ndërhyrë në procesin e gjykimit të ankesës së paraqitur kundër vendimit të gjykatës së Tiranës për regjistrimin e Statutit të Kuvendit të 11 dhjetorit 2021, ankim i cili është në kundërshtim flagrant me kodin e procedurës civile dhe praktikën e gjykatave deri më sot.
Për ndërhyrjen e saj për këtë çështje ajo ka kërkuar ndihmën e qeveritarëve të rëndësishëm të Partisë Socialiste. Sot fill pas denoncimit tim të kësaj ndërhyrje, ambasadorja Kim pranoi përmes një tëitter se ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë.
Duke e konsideruar këtë ndërhyrje një akt të rëndë dhe të papranueshëm shtoj se gjykatat prezumohen të jenë të pavarura dhe çdo ndërhyrje pavarësisht makiazhit përbën cenim të hapur të kësaj pavarësie dhe dhunon ligjet e kushtetutën e vendit dhe parimet ndërkombëtare të drejtësisë të pavarur.
Kur presioni dhe ndërhyrja vijnë nga diplomatë të huaj, përveçse shkelin e sovranitetin dhe ligjet e vendit ata shkelmojnë gjithashtu dhe konventat ndërkombëtare që ndalojnë rreptësisht kthimin e diplomatëve në aktorë politikë.
I bëj thirrje Departamentit të Shtetit të mos lejojë ndërhyrjet e palejueshme të ambasadores Kim në proceset gjyqësore dhe pavarësinë e drejtësisë në Shqipëri. (A2 Televizion)