
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e përjavshme me gazetarët, dënoi “me forcën më të madhe tenderat korruptivë të ndërtimit dhe mbrojtjes së sistemeve digjitale”.
“Përpjekjet për të ndërhyrë në Kosovë kanë qenë të mëdha, por mbrojtja e tyre ka shkëlqyer dhe nuk ka lejuar penetrimin në këto sisteme”, tha Berisha, i cili shtoi se “200 milionë euro të shpenzuara në Shqipëri” kanë përfunduar në xhepat shokëve të kryeministrit dhe jo në teknologjitë mbrojtëse.
“Përpjekjet për të fajësuar kompaninë amerikane, janë përpjekje për të fshehur vjedhjet që janë bërë. Në këtë kontekst, i bëj thirrje NATO-s dhe SHBA-së, me një ekip të gjithanshëm, të ndihmojnë Shqipërinë për të kapërcyer këtë agresion, duke shqyrtuar të gjithë situatën e sistemeve digjitale në Shqipëri. Mbrojtjen kibernetike, Rama e shkatërroi sa erdhi në pushtet. Ishte një njësi që paguhej vetëm për mbrojtjen kibernetike të sistemit. E shkriu duke i quajtur spiunë digjitalë dhe i largoi. Thirrja ime për partnerët tanë është një ndërhyrje emergjente, sepse Irani nuk mund dhe nuk duhet ta fitojë këtë betejë. Nuk mund të intimidojë Shqipërinë për të ndryshuar qëndrimin e saj ndaj opozitës iraniane, që lufton për lirinë dhe dinjitetin e Iranit”, theksoi Berisha. (A2 Televizion)