
Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi se ditët në vijim do të jenë ditët “e revolucionit demokratik paqësor”.
“Lulzim Basha duhet të vijë në datën 11 dhjetor në Kuvend. Nëse nuk vjen, përjashton veten nga Kuvendi, jo nga partia. Por, ditët në vazhdim janë të revolucionit demokratik paqësor. Rama e ka shtyrë Bashën në verbëri, që t’i thotë “llum” njerëzve idealistë. Partia Demokratike po bashkohet. Demokratët do të bashkohen nga ky akt i “PengBashës”. Ata po e shohin se janë shndërruar në misionarë të shpëtimit të pluralizmit politik”, tha Berisha.
Ish-kreu i PD-së shtoi se “anëtarësia e PD-së po i përmbahet me rigorozitet statutit të saj”.
“Problem tjetër është se mendësia e pengut, frika që i ka hyrë gjer në palcë, e shtyn në qëndrime absurde, në deklarata të shplara dhe verbëri politike. Kuvendi mbahet më datën 11. Nuk janë delegatët ata që provokuan, pasi ju e keni parë si shpërtheu zemërimi ndaj Bashës në shtator. Tani kanë vendosur të flasin me firmën e tyre”, theksoi Berisha. (A2 Televizion)