
Lulzim Basha i propozon kryesisë mbledhjen e kuvendit kombëtar të PD më 18 dhjetor. Propozimi është bërë gjatë mbledhjes së kryesisë së partisë që po zhvillohet në këto momente.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka thërritur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor. Lideri historik ka mbledhur 4200 firma, përmes Foltores, për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar. Por Basha tha në mbledhjen e kryesisë së nuk do të ketë kuvend kombëtar të PD me 11 dhjetor.
“11 dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha, nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD, në ditën e izolimit të PD. Ai dëshiron ta bëjë, sepse vetëm ashtu mendon se i shërben hallit të tij. Por detyra jonë është ti shërbejmë hallit të demokratëve dhe jo hallit të Sali Berishës. Partia Demokratike e Shqipërisë do të përqendrohet tek ajo që kemi marrë përsipër: ti prijmë demokratët drejt qeverisjes së vendit, të mundim të vetmin kundërshtar që kemi Edi Ramën dhe të krijojmë një të ardhme për shqiptarët. Për këtë arsye, për t’i shërbyer demokratëve dhe jo hallit të Sali Berishës, i propozoj Kryesisë së Partisë Demokratike thirrjen e Kuvendit Kombëtar me 18 dhjetor”, tha Basha.
Përveç se politike, beteja Berisha-Basha tashmë është edhe procedurale, pasi firmat janë në zyrën e kreut të Këshillit Kombëtar Edi Paloka. Sekretari i përgjithshëm kërkon protokollimin dhe verifikimin e tyre, si dhe thirrjen e Kuvendit përmes mbledhjes së kryesisë së partisë.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e kryesisë së partisë, Basha kritikoi ashpër lëvizjen e Berishës. “Prej dy muajve Sali Berisha ka vijuar një aksion që nuk ka lidhje me Partinë Demokratike, me të sotmen dhe të ardhmen e kësaj partie, me nevojën që kanë demokratët dhe shqiptarët për të parë PD të udhëheq vendin. Ka vendosur që një problem të tij personal me SHBA t’ia imponojë partisë si problem të PD. Për këtë ka njoftuar në Facebook një miting me datë 11 dhjetor, që ngjan më shumë si një nevojë për t’i kundërvënë një pjesë të vogël të Partisë Demokratike, aleatit tonë më të rëndësishëm strategjik SHBA. E drejtë e tij, ta bëjë, t’ia kundërvendosë, mund t’i shpallë edhe luftë nëse dëshiron, por këtë siç kam thënë prej ditës së parë, nuk e bën dot as në emër të demokratëve dhe as në emër të PD”, mësohet të ketë thënë Basha në mbledhjen e kryesisë së partisë. (A2 Televizion)