
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se forca politike që ai drejton nuk do të heqë dorë nga sistemi i zgjedhjeve brenda partisë të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme vendore, edhe pse do të bashkërendojë emrat me partitë e tjera të opozitës.
“Ne do ulemi me aleatët, do ulemi me PL dhe aleatët e tjerë dhe do bashkërendojmë, do bëjmë gjithçka që të arrijmë maksimumin e konsensusit. Problemi i vetëm është se ne, nga primaret nuk mund kurrsesi të largohemi. Atë që sollëm ne, sollëm primaret. Nëse largohemi prej tyre, nuk jemi më vetja jonë. Ndaj dhe nesër mblidhet Këshilli Kombëtar për të diskutuar për primaret që do zhvillohen, janë mendime të ndryshme, por cilido mendim të mbizotëroj, nuk mund t’u them se nuk e di, por asnjë prej tyre nuk e vë në diskutim primaret”, tha Berisha në një konferencë për mediat. (A2 Televizion)