
Ndërkohë që Parlamenti pritet të miratojë dekretet e Presidentit Bajram Begaj për ndryshimet në kabinetin qeveritar, ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla që kjo seancë do të duhej të zhvillohet me debat, siç e kërkon rregullorja.
"Asgjë nuk të heq ty qyrkun e vjedhësit. Ti kërkon t'ua mohosh deputetëve të drejtën e fjalës. Nëse flasin, ju faktojnë shqiptarëve se padrinoja i Ahmetajt e ka emrin Edi Rama. Në emër të ligjit të këtij parlamenti hap debatin siç parashikon rregullorja dhe mos përdorni arbitraritetin. Mos të mendojë Edi Rama se duke i shpëtuar gjykimit në parlament, do i shpëtojë gjykimit në rrugët e Shqipërisë, kurrë jo”.
Jashtë sallës së parlamentit, kreu i selisë blu akuzoi Ramën se po bën çdo përpjekje për të mbuluar faktin se ai, është padrino i Arben Ahmetajt, i cili ka firmosur kundër ligjeve të vendit.
“Në Parlamentin e monizmit të plotë, Edi Rama shkelmon rregulloren e cila në nenin 110 të saj sanksionon debatin Parlamentar për programin, por edhe për përbërjen e Këshillit të Ministrave. Sot ndryshon përbërja e Këshillit të Ministrave dhe në çdo Parlament në botë, përveç Parlamentit të monizmit të plotë do të bëhej debat. Këtë e ka të qartë Edi Rama, por ai bën çdo lloj manovre dhe çdo lloj përpjekje për të mbuluar faktin se ai, Rama, është padrino i Arben Ahmetajt. Ia thashë edhe në Parlament, vish çdo lloj xhakete, por qyrkun e hajdutit nuk e heq dot kurrë nga shpina. Kjo është e vërteta. E vërteta është se ai ka firmosur në shkelmim të ligjeve të vendit dhe vetëm e vetëm për të vjedhur. Kontratë me negociata të mbyllura që s’mund të firmosej kurrë nga një kryeministër që do të zbatojë ligjin”, deklaroi Berisha.
Sipas Berishës, Rama ka urdhëruar Arben Ahmetajn përdorimin e fondit rezervë të Këshillit të Ministrave për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit.
“Edi Rama është shumëfishi i Arben Ahmetajt. Ai ka urdhëruar Arben Ahmetajn për prekjen e fondit rezerve të Këshillit të Ministrave që përdoret për fatkeqësi natyrore apo trauma të tjera, përdorimin e tij për inceneratorët, qoftë për Elbasanin, qoftë për Fierin. Edi Rama është firmëtari i famshëm që dha për tenderin e Sharrës 8 pikë kompanisë së vet Gugalja-Zoto-Mërtiri. Ja pse nuk lejoi diskutimin, se këto do ia tregonim me dokumente shqiptarëve. Do i tregonim shqiptarëve se vërtetë Ahmetaj është strumbullar i kësaj çështje, por bajlozët e zinj më kryesorë janë Edi Rama, Engëll Agaçi dhe Erion Veliaj, i cili siç e keni marrë vesh ka firmosur për 91 milionë euro duke falsifikuar dokumentin e firmosur prej tij e duke e paraqitur atë si dokument të të gjitha bashkive të Qarkut Tiranë. Duke falsifikuar, duke paraqitur 91 milionë euro të firmosura, të aprovuara nga Këshilli i qytetit të Tiranës, Parlamenti i Tiranës, dhe në fakt, Këshilli ka bërë mbledhjen javë më vonë për të miratuar atë dokument që kishte hyrë në fuqi dhe kishte bërë aktive marrëveshjen. Këta para vjedhjes nuk njohin asnjë pengesë, asnjë ligj, asnjë moral, prandaj sot nuk lejojnë Parlamentin të diskutojë”.
Berisha bëri të ditur gjithashtu se do të fetsojë në Mirditë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA, ndërkohë që Rama feston në Tiranë.
“Me kaq po ju falënderoj sepse unë po nisem për në Mirditë. Do festoj me mirditorët 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA. Rama bën anti-miting, ndërsa unë do e festoj me shqiptarët e vërtetë dhe jo me nëpunës të paguar të cilët siç patë mesazhet vijnë aty vetëm për të ruajtur kafshatën e gojës dhe vendin e punës.
Në fakt, të kremtosh marrëdhëniet me SHBA me Edi Ramën dhe Taulant Ballën është njëlloj si të shkosh me Saimir Tahirin në ‘Shtëpinë e Bardhë’”. (A2 Televizion)