
Në një kohë kur Këshilli Kombëtar i PD po votonte shkarkimin e anëtarëve të kryesisë që mbështetën Kuvendin e 11 dhjetorit, Sali Berisha zhvilloi një takim virtual me shqiptaro-amerikanët në Florida.
Ish-kryetari i PD riktheu akuzat ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim duke e cilësuar si një prej shkaktarëve të krizës brenda PD, bashkë me atë që ai e cilësoi si deputeti Basha.
“Duhet të pranojmë presione të pandershme të ish-kryetarit Basha, sot deputeti Basha, i asistuar në një mënyrë ose tjetër edhe nga ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim e cila me ndërhyrjet e saj është kataliste e gjendjes së krijuar, faktikisht ajo e marrjes peng të opozitës nga qeveria;
Berisha tregoi edhe arsyet pse sipas tij Departamenti i Shtetit e shpalli non grata, duke folur për një plan partneriteti PD-PS.
“Tre javë pasi humba zgjedhjet, projekti ishte që PD të ishte aleate e PS, gjë që unë kurrë nuk mund ta pranoja”, deklaroi ish-kryeministri.
Ish-kryetari i PD konfirmoi edhe një herë referendumin e datës 18 dhjetor, që sipas tij do të ratifikojë vendimmarrjen e Kuvendit të 11 dhjetorit, që votoi me shumicë vota pro shkarkimit të kryetarit aktual të Partisë, Lulzim Basha. (A2 Televizion)