Berisha në Bulqizë: Me Primaret kemi vendosur një nga standardet më të përparuara që ekziston sot në botë për forcat demokratike

Nga A2 CNN
1 Prill 2023, 18:20 | Politikë
Berisha në Bulqizë: Me Primaret kemi vendosur një nga standardet

Sali Berisha ishte pasditen e sotme në qytetin e Bulqizës ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Bulqizë, Dëfrim Fiku. Berisha u shpreh në fjalën e tij se, me Primaret lëvizja që ai drejton ka vendosur një nga standardet më të përparuara që ekziston sot në botë për forcat demokratike.

“Sot kam nder të madh të paraqes këtu para jush si kandidat për qytetar të parë, njeriun që ju në 32 vite keni mbështetur më shumë për këtë kandidaturë. Dëfrim Fiku është propozim i juaji, është i votuari i juaj, i besuari juaj, është zgjedhja juaj. Dëfrimi, Ismaili, Skënderi, Bedriu dhe të gjithë kandidatët e këtyre zgjedhjeve janë dhëndurë të lirisë, janë nuse të lirisë. Ata nuk kanë dalë nga zyra e kryetari, as nga zyra e kryesisë, por kanë dalë nga vullneti juaj dhe u them ju, se kemi shënuar një hap përpara në hapësirën e lirisë, kemi vendosur një nga standardet më të përparuara që ekziston sot në botë për forcat demokratike.

Unë ju garantoj se ky standard do të përsoset, gjithnjë e më shumë dhe se do të jeni ju ata që do të përcaktoni qeveritarët tuaj vendorë, deputetët tuaj, drejtuesit e partisë dhe të gjithë përfaqësuesit tuaj.

Nga ana tjetër unë kam kënaqësinë që paraqes këtu para jush Dëfrim Fikun, një nga intelektualët, një nga qytetarët më shembullorë të Bulqizës, me bindjen më të madhe se Dëfrimi me mençurinë, ndershmërinë, dashurinë dhe përkushtimin për ju dhe Bulqizën, do të bëjë të gjitha përpjekjet që të shndërrojë në shërbime, në ndryshime, në zhvillim, çdo qindarkë të taksave tuaja. Do të marrë me seriozitetin më të madh çdo propozim tuajin, çdo sugjerim, do të bëjë gjithçka për të shtuar burimet e të ardhurave, për të shtuar financimet për Bulqizën.

Me 14 maj ne votojmë ndryshimin. Dëfrim Fiku është kandidati i ndryshimit, ndaj dhe ky ndryshim është i një rëndësie jetike për Bulqizën, për Shqipërinë, kombin shqiptar.”, u shpreh ndër të tjera Berisha.

Sipas Berishës, sot Shqipëria po lëngon në të 4 anët e saj, ndërsa shtoi më tej se, sot Shqipëria ka një thirrje: mos më braktisni.

“Unë jam sot këtu për të bërë thirrje ju, të mendojnë për një moment, pse ne po shkretohemi në këtë mënyrë. Pse Bulqiza, pse Shqipëria në 8 vite ka humbur mbi 1 mln qytetarë, më shumë se 1/3 e saj. Cilido që njeh historinë e Bulqizës, historinë e Dibrës dhe të Shqipërisë konstaton se kurrë në historinë tonë, ne nuk kemi patur shkretëtim të tillë. Asnjë pushtues, asnjë pushtim, asnjë luftë, asnjë fatkeqësi natyrore nuk na kanë pakësuar ne në këtë mënyrë sa na kanë pakësuar në 8 vite.

Jo vetëm ne, por në historinë e botës nuk do të gjeni kurrë një komb, një vend që të ketë humbur 1/3 e popullatës, në 8 vite. Polonia vendi më i dëmtuar nga lufta që ishte lufta e dytë botërore, që u sulmuar nga të gjitha anët, humbi 20% të popullatës, kurse ne kemi humbur nga 2014 e gjer sot, 35% të popullatës.

Atëherë a është jetike, a është e domosdoshme që secili nga ne të bëjë pyetjen; ku po shkojmë ne kështu, çfarë duhet të bëjmë ne, duhet të pranojmë këtë rrokullisje, pothuajse këtë shfarosje. Po pse them shfarosje? Po nëqoftëse në 8 vite humbëm 1/3, duhet vetëm 16 vite për të humbur të tretat e tjera që kanë mbetur dhe kjo do të ishte, akti më i pafalshëm i yni, më i pafalshëm për vendin, për kombin, për fëmijët, por më i pafalshëm edhe për ata të cilët në kushte pakrahasimisht më të vështira se ne, ranë, u flijuan, vdiqën, vetëm e vetëm që Bulqiza, Dibra, Shqipëria të mbijetojë, vetëm e vetëm që shqiptarët të mbijetojmë. A mund të dorëzohemi ne në këtë mënyrë? A na falet ne kjo gjë. Kurrën e kurrës.

Sot Shqipëria lëngon në të 4 anët e saj, sot Shqipëria ka një thirrje dhe vetëm një thirrje; mos më braktisni., mos më braktisni. Sot nuk ka komb tjetër mbi tokë që braktis kombin e vet si ne shqiptarët dhe ju garantoj, se nuk ka tokë dhe vend tjetër më të pasur se Shqipëria. Se këtu ku jemi ne, pak, disa qindra metra ndodhen 25 milionë ton krom, rezervë botërore kromi. Se në të 4 anët e Dibrës, rezervat janë përrallore në çdo aspekt, në turizëm, bujqësi, ujëra në çdo gjë.”, vijoi më tej Sali Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos