
Sali Berisha i quajti mashtrime elektorale premtimet e qeverisë për të dyfishuar pagën mesatare. Gjatë konferencës për shtyp të së premtes, Berisha hodhi akuza edhe ndaj Enkelejd Alibeajt, duke e cilësuar si të kapur nga mazhoranca.
Premtimi i bujshëm i Edi Ramës për të dyfishuar pagën mesatare u cilësua nga Sali Berisha si një mashtrim i madh. Në një konferencë për shtyp nga selia e Partisë Demokratike, ai u shpreh se krahas pagës mesatare, edhe bonusi për pensionistët është më i paktë se sa ishte premtuar në fillim.
“Pretendoi ky që do të dyfshojë në dy vite rrogat, unë jam ish-kryeministër, një gënjeshtër të tillë nuk ia besoj kurrë atij”, tha Berisha.
Akuzat, Berisha i vijoi ndaj Enkelejd Alibajt, të cilin e konsideron të kapur nga mazhoranca për shkak të problemeve me drejtësinë që kanë familjarët e tij: “Enkelejd Alibeaj ka fshehur të vëllanë e tij kriminel, i cili është arrestuar për rrëmbim me armë në vende të BE-së dhe sot nuk dihet se ku është”.
Akuzat i vijoi edhe ndaj atyre kandidatëve që janë pozicionuar në zgjedhje me vulën e PD-së, ndërsa përshëndetje pati për ata që u tërhoqën nga gara: “Patericat e Edi Ramës janë pengje që i nxjerr nga xhepi me urdhër të Ramës, Alibeaj dhe Lulzim Basha”.
Listat e kandidatëve të partive politike janë tashmë të protokolluara pranë KQZ-së dhe pritet miratimi për të zyrtarizuar garuesit e 14 majit. (A2 Televizion)