
Sali Berisha ka vijuar fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit dhe pasditen e së hënës është ndaluar në Kamzë ku ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Arjan Hoxha.
Në fjalën e tij Berisha, teksa kërkoi votat për Arjan Hoxhën, tha se më 14 maj do të votohet për të shpërbërë pushtetin monist.
“Ju garantoj se Arjan Hoxha, kandidati i vullnetit dhe votës tuaj, kandidati i dinjitetit tuaj, do të shkrijë të gjithë energjitë e tij, të gjithë mendjen me përkushtimin më të madh, do të bëjë gjithçka që së bashku me ju ta ndryshojë me shpejtësi gjendjen në bashkinë e Kamzës. Do të bëjë gjithçka që taksat tuaja ti shndërrojë në shërbime për ju të merituara.
Arjani do të jetë një shërbëtor i përulur i qytetarëve të Kamzës. Një administrator i aftë, i zoti, dhe i ndershëm, do të jetë një drejtues vizionar për transformimin e Kamzës.
Miqtë e mi!
Me 14 maj, Kamza ndahet dhe Shqipëria, nga sistemi më i keq që ka njohur njeriu dhe njerëzimi, nga sistemi i të gjitha pushteteve në duart e një njeriu, në duart e një individi. Çdo analizë që mund t’i bëjmë historisë dhe të shkuarës do të gjejmë se regjimet më të këqija, më ç’njerëzore, më jo popullore, kanë qenë regjimet në të cilat një njeri i ka kontrolluar të gjitha pushtetet.
Ky është rasti i Shqipërisë sot. Edi Rama i kontrollon sot të gjitha pushtetet e këtij vendi dhe e vërteta është se kontrollon të gjithë ekonominë, financat, gjykata, polici, SHISH, presidencë dhe çdo institucion tjetër.
Në këto kushte me 14 maj, ne votojmë jo vetëm për të vendosur Arjan Hoxhën qytetar të parë në Bashkinë e Kamzës, por votojmë për të shpërbërë pushtetin monist të Edi Ramës, votojmë për të rivendosur pluralizmin në Shqipëri. Votojmë për të vendosur përsëri sistemin demokratik”, tha Berisha. (A2 Televizion)