Berisha në parlament: Koha nuk pret, të nisim grevë të përgjithshme

Nga A2 CNN
22 Shtator 2022, 15:34 | Politikë
Berisha në parlament: Koha nuk pret, të nisim grevë të

Sali Berisha bëri një thirrje për të gjithë shtresat e shoqërisë që të ngrihen në një greve të përgjithshme për të larguar këtë qeveri që sipas tij qëllimet e veta kryesore ka vjedhjen dhe mashtrimin e qytetarëve. Kërkesës së kryetarit të PD-së nga foltorja e kuvendit, në mungesë të kryeministrit iu përgjigj kreu i grupit socialist, Taulant Balla.

“U bëj thirrje sindikatave, shkëputuni nga plogështia juaj dhe të organizojmë grevën e përgjithshme, e cila është grevë për dinjitetin e secilit në radhë të parë. U bëj thirrje mjekëve, bluzëbardhëve, që shohin rrënimin e sistemit shëndetësor, që e shohin se si shqiptarët vdiqën nga pandemia, 250 për qind më shumë se mesatarja e BE, vdiqën më shumë se në çdo vend tjetër të Europës, vdiqën sa në 3-4 vende me vdekshmërinë nga Covidi më të lartë në botë. Mjekë të shkëlqyer që largohen nga vendi, infermierë që ikin. Të gjitha këto sepse janë njerëzit më të keqpaguar, më të keqtrajtuar, më të keqvlerësuar. Atëherë cila mbetet? Greva, greva dhe para së gjithash greva.

I drejtohem këtu biznesit të vogël, që ka një armik të vërtetë në këtë qeveri, e cila pret fundin për dy muaj që t’u vendosë 23 përqindëshin, e cila rriti tarifën e energjisë në 200 lekë. Çfarë presin më? Thirrja e çdo biznesmeni, e fëmijëve të tyre, grave dhe miqve të tyre është: të ulen qepenat, grevë e përgjithshme, grevë e përgjithshme.

U bëj thirrje të gjithë studentëve, bashkëmoshatarëve të tyre në Kosovë, qeveria u dha nga 100 euro, kurse kjo qeveri u jep mashtrimin, nënçmimin, përçmimin. Të organizohen në një lëvizje të fuqishme studentore. U garantoj se ne jemi 10-20-30 herë më të fuqishëm se këta që vjedhin çdo ditë qytetarët shqiptarët.

U bëj thirrje pedagogëve të universiteteve që të ngrihen fuqishëm. Të mos lënë një copë  injorant t’u përmendë rrogën dhe dijen. Një njeri që nuk është i denjë as për mësues vizatimi dhe që mburret se s’ka master e doktoratë. Por që ka injorancë deri në qiell.  U bëj thirrje të organizohen. I bëj thirrje sindikatës që të qëndrojë fuqishëm sepse vetëm greva e përgjithshme është rruga për t’i prerë biletën aty ku e meriton kjo qeveri kapion në të zeza dhe vjedhje.

U bëj thirrje policëve të shtetit, policëve të vërtetë, që nuk u paguhet asgjë nga djersa që derdhin, të cilët mashtohen nga mëngjesi deri në darkë, të cilët  trajtohen si qenie inferiore nga shefat e tyre. E dëgjuat Panganikën çfarë i thoshte oficerit? Çfarë pësoi Panganika që i tha plerë oficerit me uniformë? Asgjë. Sepse Panganika  është mik i Veliajt dhe Ramës,është një turp i dheut, është një turp oficer. Po atë marrëdhënie kanë ministrat me vartësit e tyre. I trajtojnëme mungesë dinjiteti. I terrorizojnë.

U bëj thirrje të gjithë punonjësve të administratës: në grevë dhe vetëm në grevë. Koha po thërret. Ora po vjen. Ne duhet të jemi në lartësi dhe jo të shohim dhe të vajtojmë.

U bëj thirrje taksistëve dhe çdo qytetari që guidon makina, që të mos pranojnë këtë tirani të çmimit të naftës sepse ajo është vendosur nga qeveria dhe kontrabanda e saj.

U bëj thirrje qytetarëve, demokratë e socialistë dhe çdo bindje, të ngrihemi. Se kjo që ndodh me çmimet, nuk ndodh në asnjë vend të botës. Se bordet komuniste të Edi Ramës kanë rritur çmimet e kafshatës, të bukës, djathit, qumështit, më shumë se në çdo vend tjetër të Europës.

U bëj thirrje nxënësve të gjimnazeve të ngrihen së bashku me studentët në protesta të përgjithshme dhe të shpëtojnë nga ky regjim i kalbur monist,  personal i një njeriu.

Koha nuk pret. Ndaj dhe ky parlament duhet t’i ketë kohërat e numëruara. Ky parlament ka marrë fund, që kur ekzekutivi merr kompetencat e tij, parlamenti nuk ka pse ekziston më.

Do përballeni me qytetarët shqiptarë. Ky është zotimi solemn në emër të Partisë Demokratik dhe të opozitës”, u shpreh Berisha.

“Provokim i një njeriu të ulët që turp nuk ka më, burrëri nuk ka pasur kurrë, nuk ka ndodhur ndonjëherë që unë të ulem në rreshtin tuaj kërkon sherr e luftë sa herë i jepet mundësia. Ne nuk bëmë asnjë reagim se menduam burrë i vjetër nuk qëndron dot në këmbë Menduam se e kishte nga mosha nevojën për t’u ulur. Socialistëve ky njeriu nuk i afrohet kurrë”, tha Balla. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos