
Partia Demokratike e konsideroi antikushtetuese kërkesën e Prokurorisë drejtuar medias, për të mos publikuar të dhënat që tashmë mund të aksesohen nga kushdo, pas sulmeve kibernetike të muajve të fundit.
Qëllimi i këtij vendimi, sipas PD, është të fshehë shpartallimin e plotë të infrastrukturës digjitale, aspekt të cilin kryetari Sali Berisha e nënvizoi edhe në mbledhjen me 17 deputetë: “Sot, në pikat kufitare qarkullojnë lirshëm të kërkuar dhe të pakërkuar, pasi sistemet nuk funksionojnë. Por përsëri, sot, ortakët e tyre, hyjnë në Parlament, hyjnë në qeveri, hyjnë në institucione. Ajo që po ndodh në Shqipëri është shpërbërja e plotë e shtetit ligjor. Shpërbërja totale”.
Vendimin e qeverisë që lejon ndërtuesit të paguajnë për të legalizuar katet dhe shtesat pa leje, Berisha e sheh si një akt që asgjëson Parlamentin dhe vendos dy standarde në raport me qytetarin e thjeshtë: “Për një kotec, për një gjysmë çatie, janë dënuar me burg 3400 qytetarë shqiptarë. Kurse tani, kur vjen problemi te kullat e qeverisë, te pallatet e qeveritarëve dhe klientelës së tyre, për ta ligji nuk ekziston. Edi Rama bën vendimin e amnistisë së tyre. Ky është dhunim flagrant i Parlamentit, i cili është i vetmi institucion që ka të drejtën e aministisë”.
Kryedemokrati u ndal edhe tek kriza energjitike në vend. Akuzat këtë herë i drejtoi ndaj Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare: “100 milionë euro tendera në KESH së fundmi. Se KESH-in e kanë si pusin ku mbushin paratë. KESH ka investime të regjistruara 1 miliard euro. Punime të kryera nuk janë as 100 milionë. Pra, në këtë situatë, sirenat e revoltës popullore po bien në katër anët e vendit”.
Berisha pohoi se demokratët do ta vijojnë betejën opozitare si në Parlament, ashtu edhe në sheshe me protesta. (A2 Televizion)