
“Parlamenti e mbylli vitin në mënyrën më moniste. Të gjitha pushtetet, përveç kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, tani i shkojnë qeverisë”. Kështu u shpreh Sali Berisha në bashkëbisedimin e përjavshëm me gazetarët, duke iu referuar procesit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, që do të nisë sërish nga e para.
“Të gjitha kandidaturat që ishin në listë për t’u votuar, gjykoj se kjo ishte lista më dinjitoze që është paraqitur ndonjëherë, aty kishte përfaqësues të të përndjekurve politikë, si Besim Ndregjoni, i cili gëzonte mbështetje të gjerë të shtresës së tij dhe një kandidaturë e përkushtuar ditë dhe natë për të drejtat e njeriut ishte dhe veprimtari i shoqërisë civile, Altin Goxhaj. Ishin edhe juristë të njohur, të rinj, përfaqëues të gjeneratës së re si Dorian Gjokmarkaj dhe Ilir Dervishi”, shtoi Berisha.
“Pra, ishin një numër i konsiderueshëm dhe të gjithë ata u hodhën poshtë vetëm pse Edi Rama nuk pranonte asnjërin prej tyre, përveç atij që donte vetë. Ajo që patë në këtë proces, ishte, do të thosha procesi më i turpshëm, me të cilin Edi Rama haptas kërkoi të pushtojë të vetmin institucion që ai nuk e kontrollon”, tha kreu i Partisë Demokratike.
"Në traditë, të këtij vendi dhe vendeve të tjera, është respektuar parimi i Avokatit të Popullit të emëruar nga opozita. Të gjithë ata që patën iluzion, se u fol për marrëveshje, Edi Rama përdori të njëjtën skemë si në rastin e zgjedhjes së presidentit. Bëri sikur po ia linte opozitës dhe në fakt u tall dhe nxori lakminë e tij të pafundme për pushtet dhe emëroi njeriun që deshi. Ky akt është dëshmi tjetër se monizmi përmbyset vetëm me revolucion", shtoi Berisha. (A2 Televizion)