
Qeveria e re e italiane do të jetë pro NATO-s dhe plotësisht pjesë e Europës. Georgia Meloni, e cila pritet të jetë kryeministrja e ardhshme e Italisë, iu përcolli një mesazh të qartë partnerëve të koalicionit të djathtë, pasi Silvio Berlusconi i "Forca Italia" përsëriti simpatinë e tij për Putin dhe akuzoi presidentin ukrainas për shkaktimin e luftës.
Në një deklaratë të formuluar ashpër, zonja Meloni tha se çdo parti që nuk pajtohet me linjën e saj të politikës së jashtme nuk duhet të bashkohet me qeverinë, e cila do të fillojë nga puna javën e ardhshme.
“Italia me ne në qeveri nuk do të jetë kurrë lidhja e dobët e Perëndimit. Për një gjë kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë e qartë. Unë synoj të drejtoj një qeveri me një linjë të qartë dhe të drejtë të politikës së jashtme. Kushdo që nuk është dakord me këtë gur themeli, nuk mund të jetë pjesë e qeverisë”, tha mes të tjerash Georgia Meloni.
Meloni e ka mbrojtur me vendosmëri Ukrainën që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkurt dhe ka mbështetur sanksionet perëndimore kundër Moskës.
Berlusconi, 86 vjeç, është një mik i vjetër i Putinit dhe në një regjistrim audio të publikuar të martën, dëgjohet teksa i thotë parlamentarëve nga partia e tij "Forza Italia" se po kontaktonte me presidentin Putin dhe se kishte shkëmbyer "letra të ëmbla" dhe dhurata me të.
Në një regjistrim të dytë, të publikuar nga agjencia e lajmeve La Presse të mërkurën, Berlusconi tha se Ukraina kishte prishur një marrëveshje paqeje të vitit 2014, e cila ishte krijuar për t'i dhënë fund luftës në rajonet separatiste Donetsk dhe Luhansk.
Duke përsëritur akuzat e bëra nga Putini, Berlusconi shprehet se Zelenski e përkeqësoi situatën shumë më tepër kur erdhi në pushtet në vitin 2019. Kreu i Partisë Demokratike të qendrës së majtë Enrico Letta i cilësoi si tejet të rënda komentet e Berlusconit dhe të papajtueshme me qëndrimet italiane dhe evropiane. (A2 Televizion)