
Kriza e çmimeve ka përkeqësuar besimin e biznesit tek ekonomia. Vrojtimi i fundit i Bankës së Shqipërisë evidenton se në muajin prill, besimi në ekonomi i bizneseve ka rënë sërish. Përjashtim bën vetëm sektori i ndërtimit dhe individët, që po shfaqen më optimistë.
Ndërkohë që industria, shërbimet dhe tregtia parashikojnë një situatë të vështirë. Kjo ndikuar nga performanca më e dobët e komponentëve të lidhur me ecurinë e biznesit dhe me kërkesën për shërbime dhe kontrata porositëse.
Bizneset në këtë sektorë shprehen pesimistë për të ardhmen lidhur me ecurinë e aktivitetit të tyre, si dhe me treguesin e punësimit.
Përsa i përket konsumatorëve, pavarësisht rritjes së çmimeve, situata paraqitet e përmirësuar. Ata shprehen më optimist lidhur me blerjet në shuma të mëdha, si dhe në pritjet për situatën e tyre financiare dhe gjendjen e përgjithshme të ekonomisë në të ardhmen.
Besimit në ekonomi është i rëndësishëm, pasi tregon për perceptimin dhe pritshmëritë që kanë agjentët ekonomikë, prej nga ku varen më pas vendimet e tyre. Rënia e besimit do të thotë se nuk është momenti i duhur për bizneset dhe qytetarët për të shpenzuar apo investuar. (A2 Televizion)