
Yuri Kim është zyrtarisht ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Ajo është betuar para Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Urimet më të mira dhe suksese në misionin tuaj, me bindjen se do kemi një bashkëpunim të frytshëm!", shkruan ambasadorja shqiptare në SHBA Floreta Faber, ndërsa bashkëngjitur ka shpërndarë edhe videon e betimit të Yuri Kim, e cila do të zëvendësojë ish-ambasadorin Donald Lu.
Zonja Yuri Kim është një diplomate karriere që ka mbajtur funksione të ndryshme dhe detyra të larta në shërbimin e jashtëm amerikan.
Në Departamentin e Shtetit ajo ka drejtuar zyrën e Evropës Jugore. Më herët ajo ka qenë drejtoreshë për qendrën e studimeve për diplomaci në DASH, si dhe shefe e kabinetit e zv.sekretarit të shtetit.
Ajo ka shërbyer gjithashtu si asistente speciale e ndihmës sekretarit të shtetit për Azinë Lindore dhe Paqësorin. Në këtë rol, ka qenë pjesë e delegacionit amerikan në bisedimet shumëpalëshe mbi programin nuklear të Koresë së Veriut.
Yuri Kim ka shërbyer gjithashtu si konsull politik në ambasadën amerikane në Bagdad, të Afganistanit dhe më pas në atë në Ankara të Turqisë.
Ajo flet gjuhën koreane, kineze, japoneze si dhe turqisht. (A2 Televizion)