
Kryeministri britanik, Boris Johnson dhe Presidenti amerikan, Joe Biden, ranë dakord se "mbetet një mundësi" për të zgjidhur krizën në Ukrainë "me diplomaci".
Kjo u bë e ditur nga Downing Street, pas telefonatës mes dy liderëve.
Në të njëjtën gjatësi vale, është edhe Pentagoni, i cili ka bërë të ditur se nuk beson që Vladimir Putin ka marrë tashmë një vendim përfundimtar, për një sulm të mundshëm kundër Ukrainës.
Lajmi vjen pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë duke mbyllur ambasadën e tyre në Kiev dhe kanë dislokuar përkohësisht diplomatët e mbetur në Lviv, një qytet në perëndim të Ukrainës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi se kjo lëvizje vjen për shkak të shtimit dramatik të forcave ruse në kufi me Ukrainën.
“Urdhërova marrjen e këtyre masave vetëm për një arsye të vetme e cila ka të bëjë me sigurinë e stafit tonë. Gjithashtu, përsërita thirrjen drejtuar qytetarëve amerikanë që të largohen nga Ukraina menjëherë”, shkruhet mes të tjerash në deklaratën e Blinken. (A2 Televizion)