“Shtetin që ju e quani narkoshtet BE-ja po e anëtarëson”, Nazarko debat me Himçin: Po i bëni keq protestës

Nga A2 CNN
29 Tetor 2026, 22:41 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Blendi Himçi, dhe gazetari Mentor Nazarko debatuan mbi termin “narko-shtet”, me të cilin demokrati etiketoi Shqipërinë.

Debati i zhvilluar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN:

Himçi: Në Serbi nuk kishte narko-shtet. Në Shqipëri jemi para një narko-shteti.

Nazarko: Mafia serbe mbahet për trafikante. Është nga më të mëdhenjtë. Unë reagoj sepse kur flitet për narko-shtet, lidhet me reputacionin e vendit dhe na prek të gjithëve.

Himçi: Dakord që ekziston mafia serbe, por narko-shteti ka disa elementë thelbësorë: Kur mafia bëhet pjesë e drejtimit qeverisës; Kur pastrimi i parave bëhet nëpërmjet industrisë së ndërtimit dhe formave të tjera që i favorizon vetë shteti; Kur krimi i organizuar ndikon në zgjedhje, gjë që nuk ka ndodhur në Serbi. Këto janë 3 ndryshimet e Shqipërisë me Serbinë. Nuk janë bërë një herë zgjedhje të lira gjatë këtyre 13 viteve. Nëse merremi Rama ose Berisha, apo të largohen të dy, këtë duhet ta vendosë votuesi. Sot po diskutojmë largimin e Ramës nga qeverisja si kryeminstër. Kjo i bashkon të gjithë protestuesit.

Nazarko: Kjo qeverisje ka shumë shenja të kriminalizimit të saj. Mirëpo, përkufizimi narko-shtet nuk vendoset nga ju së brendshmi, por ka karakter ndërkombëtar. BE-ja, këtë shtetin që ju e quani narko-shtet, ka vendosur ta anëtarësojë para Serbisë. Për arsye gjeopolitike, por gjithsesi… Pra, Shqipëria nuk është në atë nivelin që e përshkruani ju. Dallimi është këtu, që kjo opozitë e gjendur në vështirësi nga shfaqja e një aktori të tretë, me të cilin po përpiqeni të interferoni për t’i marrë kauzat…

Himçi: Nuk është e vërtetë, ne thjesht e mbështesim.

Nazarko: Çdo mbështetje e juaja, pa ruajtur identitetin tuaj, rrezikon të dëmtojë edhe atë, edhe juve, e të forcojë zotin Rama. Ky është një problem i madh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos