“Protestën e studentëve po përpiqen ta përdorin sharlatanët”, Nazarko debat me Dervishin: Të ndriçojmë bijtë tanë

Nga A2 CNN
29 Tetor 2026, 23:11 | Politikë

Gazetari Mentor Nazarko mendon se protestën "po përpiqen ta shfrytëzojnë sharlatanët" dhe shtoi se është momenti për të bërë thirrje për urtësi.

Ndërsa gazetari Lutfi Dervishi theksoi se fillimisht duhet bërë thirrje për mirëqeverisje.

Debati i zhvilluar në studion e "Off the Record" nga Andrea Danglli, në A2CNN:

Nazarko: Tani ne na duhet pak urtësi si njerëz. Duhet të bëjnë thirrje për urtësi.

Dervishi: Unë mendoj që është drejtësi e para si thirrje, se urtësia vjen menjëherë pastaj. Drejtësi, mirëqeverisje…

Nazarko: Për atë po flasin të rinjtë. Interesate energjia që ka krijuar protesta. Figura të cilët ishin të panjohura më përpara, për shkak të rrjeteve sociale janë bërë figura të dashura që bëjnë opinion, që krijojnë rrymë dhe që po e kërcënojnë Partinë Demokratike, e cila ishte parti shumë më e fortë sesa opozita serbe. Pra, këtë drejtësinë që thua ti, po e kërkojnë ata. Ndoshta ne, për shkak të eksperiencës, mund të kërkojmë edhe pak urtësi. Çfarë po ndodh? Atë protestën e tyre po përpiqen ta shfrytëzojnë sharlatanët. Po përpiqen ta shfrytëzojnë partitë.

Dervishi: Si në çdo lëvizje.

Nazarko: Pikërisht pra! Ne kemi parë në 1990-ën, kush e kush e përdori protestën e studentëve? Ne duhet t'i ndriçojmë bijtë që të mos përdoren.

Dervishi: Absolutisht që dhuna është e papranueshme. Por, vendi destabilizohet para se të fillonin këto gjëra, kur institucionet tejkalojnë ligjin. Unë e kam thënë që po ka një gjë që destabilizon vendin dhe rrëzon qeverinë është sjellja e policisë. Një polici që ka gënjyer nëpër komunikata, që vrau një njeri dhe tha “na qëlloi”, një polici që bëhet servis i krimit të organizuar… Pra, vendi destabilizohet kur institucionet dalin nga shinat e ligjit. Testi i një shoqërie demokratike është sjellja e policisë, prokurorisë, pushteti lokal etj. Rrënjët e krizës janë shkatërrimi i instrumentave që amortizojnë krizën. Tensionin në Parlament nuk e kam problem, por kur del në rrugë nuk ka më rëndësi ai tensioni në Parlament.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos