
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky pranoi për herë të parë pas disa javësh se kundërofensiva kundër trupave ruse, për të rimarrë territoret e pushtuara, është tepër e ngadaltë dhe nuk po arrin rezultatet e pritura.
“Disa mendojnë se bëhet fjalë për një film Hollivudi dhe presin rezultate të menjëhershme. Por nuk ndodh kështu. Bëhet fjalë për jetë njerëzish”, u shpreh presidenti Zelensky.
Disa ditë më parë, Kievi zyrtar bëri me dije se që nga nisja e kundërofensivës, 3 javë më parë, Ukraina ka rimarrë kontrollin në 8 fshatra na rajonet jugore të Zaporizhzhas dhe Donetskut.
Për liderin ukrainas, një ndër motivet se përse sulmi nuk po funksion, është se një sipërfaqe e madhe toke në Ukrainë është e mbushur me mina nga trupat ruse.
“Çfarëdo që disa mund të duan, duke përfshirë përpjekjet për të na bërë presion, me gjithë respektin e duhur, ne do të avancojmë në fushën e betejës në mënyrën që ne e konsiderojmë më të mirën”, shtoi Zelensky.
Ai përforcoi nevojën që Ukrainës t'i jepen garancitë e sigurisë nga NATO, por tha se në fund të fundit qëllimi ishte anëtarësimi në aleancën mbrojtëse.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s e bëri të qartë këtë javë se asnjë plan nuk ishte në tryezë për t'i dhënë një ftesë Ukrainës në samitin e muajit të ardhshëm në Lituani. (A2 Televizion)