Bilanci i “Kadastrës” gjatë 2022, Lame: Çështja e pronave do marrë zgjidhje, Presidenca të regjistrohet

Nga A2 CNN
18 Shkurt 2023, 14:46 | Aktualitet
Bilanci i “Kadastrës” gjatë 2022, Lame:

Çështja e pronave do marrë zgjidhje të përhershme, ndërsa skanimi dhe digjitalizimi i arkivave do të reduktojë deri në shuarje korrupsionin. Kështu i përmblodhi objektivat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, kryetari Artan Lame teksa bëri edhe një përmbledhje të arritjeve vitin e shkuar.

“Shihet grafiku i rritjes. Kemi dyfishim në raport me kohët e mëparshme. 250 mijë certifikata, gjatë vitit 2022. 250 mijë familje shqiptare morën certifikatën e pronësisë”, tha Lame.

Gjatë prezantimit të ecurisë së punës së “Kadastrës” Lame i ktheu përgjigje edhe ish-presidentit Meta i cili gjatë protestës së pak ditëve më parë të opozitës akuzoi se pronat në vend janë të pasigurta.

“Do i kujtoja Metës që kur ka qenë president i kam bërë thirrje publike ejani të regjistroni Presidencën dhe oborrin për ta shpëtuar nga kafshimet. Nuk u përgjigjën në atë kohë. I kam bërë sërish thirrje Presidencës para një muaji për ta regjistruar, jo vetëm për ta shpëtuar nga kafshimet  e mëtejshme”, u shpreh Lame.

Teksa pranoi se brenda “kadastrës” ka edhe korrupsion, Lame pati një kërkesë direkte për punonjësit.

“Mos merrni veten kot më qafë. Në gjithë denoncimet e kohëve të fundit prokuroria e policia na është drejtuar kemi nxjerrë nga sistemi lëvizjet e kanë dalë të dukshme kush ka vënë dorë në sistem e çfarë përgjegjësie që ka. U drejtohem punonjësve, të mirëve e të këqijve: mos merrni veten ne qafë. Shtroni kokën në këtë punë se është punë e bukur e vazhdoni t’u shërbeni qytetarëve”, tha kreu i Kadastrës.

Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lame pranoi se taksa për rivlerësimin e pasurisë në masën 15 për qind shpesh frenon procesin, ndaj sipas tij ka nevojë për rishikim në ulje të detyrimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos