Bilanci, Italia dhe Britania shënojnë rritje rastesh, në Indi më shumë se 1 mijë të vdekur

Nga A2 CNN
11 Shtator 2020, 18:54 | Bota
Bilanci, Italia dhe Britania shënojnë rritje rastesh, në Indi

Tashmë trendi i infeksionit pandemik në Itali shënon vetëm rritje. Gjatë 24 orëve të fundit, autoritetet italiane kanë konfirmuar 1616 raste, ndërkohë që mbetet i qëndrueshëm ai i viktimave, 10 në ditën e djeshme.

Por shifrat duket sikur po rriten në të gjithë Europën, edhe pse vlen të theksohet se numri i viktimave mbetet i ulët. Rritje të ndjeshme nga java e fundit të gushtit po shënon Britania e Madhe, që sot regjistron 3539 raste dhe 6 viktima, ndërkohë që autoritetet theksojnë se koeficienti R, që tregon dimensionin e përhapjes së virusit, ka kaluar sërish në të gjithë ishullin vlerën 1.

Në qytete të rëndësishme si Birmingham, autoritetet vendore nga e marta nuk do të lejojnë më kontaktet midis familje të ndryshme në ambiente të mbyllura.

Në rrafsh botëror, India po paraqet statistikat më shqetësuese, me më shumë se 86 mijë të infektuar gjatë ditës së sotme, dhe më shumë se 1 mijë të vdekur. Në bilancin e viktimave, sot vendi aziatik ndiqet nga Meksika, që ka pasur 554 viktima nga COVID-19. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos