
Biznesi po ndjek me vëmendje zhvillimet politike në vend. Konfindustria është shprehur zyrtarisht se ndryshimet e fundit të kabinetit qeveritar janë të pamjaftueshme për të bërë të mundur tejkalimin e gjendjes së vështirë ekonomike dhe krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm.
Sipas industrialistëve, ndryshimet në emra ministrash, duhet të shoqërohen me analizat sektoriale dhe dhënien e zgjidhjeve strategjike tërësore për përmirësimin në thelb të politikave ekonomike, financiare, fiskale të deritashme.
Konfindustria vlerëson se janë mjaft shqetësuese vlerësimet e Bankës Botërore dhe FMN për rënie të ritmeve të rritjes së prodhimit të përgjithshëm kombëtar për vitin 2019 në nivelin e 3,6-3,7% nga 4,3-4,5% i paraqitur nga qeveria shqiptare. (A2 Televizion)