
Prej vitit 2015, Sepp Blatter është përjashtuar nga futbolli. Por nëse do të ishte në dorën e ish-presidentit të FIFA-s, Botërori 2022 nuk do të ishte zhvilluar kurrë në Katar. Vetëm pak ditë përpara startit të eventit, 86-vjeçari shpjegoi përse nuk e mbështet organizimin në Gadishullin e Lindjes së Mesme.
“Katari është një vend i vogël. Futbolli dhe Kupa e Botës janë shumë të mëdha për ata. Ishte një zgjedhje e gabuar. Në atë periudhë, Ekzekutivi i FIFA-s ra dakord që Rusia do të organizonte Botërorin 2018 dhe SHBA Botërorin 2022. Organizimi i eventit njëri pas tjetrit do të ishte një gjest paqeje ndërmjet dy kundërshtarëve të mëdhenj politikë. Por Platini, i ndikuar nga ish-presidenti i Francës, Sarkozy, ndryshoi balancat. Natyrisht që zgjedhja u ndikua nga paratë. Gjashtë muaj pasi Katari fitoi të drejtën e organizimit të Kupës së Botës, ata blenë avionë luftarakë francezë me kosto 14,6 miliardë dollarë”, tha Blatter.
Gjatë deklaratave të tij, Blatter tregoi si rrodhën ngjarjet. Ai tregoi se një javë përpara kongresit të FIFA-s, Platini ishte ftuar nga ish-presidenti francez, Sarkozy, në një drekë me princin e kurorës së Katarit.
Ish-kreu i shtetit i kishte kërkuar ish-presidentit të UEFA-s të bënte të pamundurën që Katari të fitonte organizimin e Botërorit 2022. Sipas Blatter kjo është e vërteta rreth eventit që do të nisë më 20 nëntor dhe mbyllet me finalen e 18 dhjetorit. (A2 Televizion)