Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka propozuar një formulë bashkimi për opozitën, duke e konsideruar atë si mënyrën e vetme për të mposhtur mazhorancën e drejtuar nga Edi Rama.
Gjatë diskutimit në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Këlliçi kërkoi një marrëveshje të sinqertë politike me partitë e tjera të spektrit opozitar, e cila mund të testohet duke nisur nga zgjedhjet lokale të 9 majit.
Sipas tij, përzgjedhja e kandidatëve nuk duhet të kufizohet vetëm te përfaqësuesit e partive politike, por duhet të përfshijë edhe figura të shoqërisë civile, aktivistë të protestave dhe personalitete publike.
“Ka një formulë bashkimi që i fokuson të gjitha energjitë opozitare te mazhoranca. Opozita bashkohet me një marrëveshje shumë të qartë politike, ku testi i parë mund të jenë zgjedhjet lokale, mund të konvergohen të gjitha energjitë te kandidaturat e përbashkëta, bashkë me shoqërinë. Mund të ketë qytete bie fjala, ku asnjë parti politike s’e ka një kandidat më të mirë se sa një eksponent i shoqërisë civile, apo eksponent që mund të vijë nga protesta, apo të jetë figurë publike. Duke patur një marrëveshje të vërtetë me njëri-tjetrin, jo vetëm politike, por njerëzore mbi të gjitha, për të vënë interesin e vendit para interesit politik partiak. E vetmja mënyrë që ne t’i bindim shqiptarët që është i mundur ndryshimi dhe që të bëhemi një valë aq e madhe votash, sa të mposhtim ndikimin e makinerisë elektorale të shtetit, makinerisë korruptive, administratës, është nëse gjejmë një formulë të tillë dhe të bashkohemi. Hajde bëjmë një sondazh nga të gjitha forcat, qytetarët, dhe më të kuotuarit të futen në betejë dhe t’i mbështesim”. (A2 Televizion)