Blinken në Ukrainë: Rusia të heqë dorë nga veprimet agresive

Nga A2 CNN
6 Maj 2021, 13:55 | Bota
Blinken në Ukrainë: Rusia të heqë dorë nga veprimet

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i kërkoi Rusisë të ndalë veprimet e rrezikshme dhe agresive kundër Ukrainës gjatë një takimi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ditën e enjte. Paralajmërimet vijnë në një moment kur tensionet në kufi mes dy vendeve mbeten të larta.

“Do të vazhdojmë të fuqizojmë partneritetin tonë me ju në mënyrë që të sigurohemi që Ukraina të mbrojë veten nga agresioni rus. Jemi në dijeni se Moska ka tërhequr një sërë trupash, por një forcë e konsiderueshme mbetet atje, prandaj po monitorojmë situtatën me shumë kujdes”, u shpreh ai.

Zelenski theksoi se kërcënimi i një ndërhyrjeje ushtarake ruse në Ukrainë ishte ende reale, edhe pse Moska ka tërhequr pak trupa nga kufijtë.

“Ne konsiderojmë se procesi i reduktimit të trupave është shumë i ngadaltë dhe prandaj kërcënimi ekziston ende.”

Më herët, Blinken u takua me homologun ukrainas Dmytro Kuleba, të cilit i shprehu përkushtimin e fortë të Uashingtonit ndaj sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë së Ukrainës.

Moska ka dërguar dhjetëra mijëra trupa në kufijtë me Ukrainën, zyrtarisht për stërvitjen ushtarake, por duke ushqyer frikën e Kievit dhe perëndimit për një ofensivë, e madje edhe pushtim të mundshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos