
Nga Adri Nureallari
Kroacia po firmos për të bashkëndërtuar dy korveta moderne të klasit Gowind 2500 me Naval Group të Francës, platforma të mirëfillta luftarake të mirëpajisura me fjalën e fundit të shkencës. Po ashtu, Mali i Zi, më modest por shumë më racional, po ndërton tashmë dy anije patrulluese moderne për det të hapur (OPV) të tipit OPV 60M, në kantierin e kompanisë franceze Kership.
Ndërsa Shqipëria? Pas më shumë se një dekade zotimesh ndaj NATO-s se do të kemi rritje të kapaciteteve luftarake detare nëpërmjet investimit në platforma detare më të avancuara; tashmë jemi katandisur që të riqarkullojmë një anije të vjetër patrulluese për det të hapur të prodhuar në 1988. Bëhet fjalë për anijen Libra P402 të klasës Cassiopea, e cila na erdhi si peshqesh nga Italia parvjet bashkë me 8 azilkërkues për kampin e Gjadrit.
Në parim duhet të tregohemi tejet mirënjohës për çdo ndihmë apo dhuratë që na bëhet, sidomos kur vjen nga Italia që na është gjendur gjithmonë në kohë të vështirë. Por duhet kuptuar se edhe pse e falur, ajo ka një kosto të lartë të ciklit të jetës, ka konsum më të lartë karburanti se anijet e reja, kërkon mirëmbajtje të shpeshtë, pjesë këmbimi më të vështira për t’u siguruar. Prandaj në shumë raste të tilla kursimi fillestar në blerje zhduket brenda pak vitesh operimi. Pra nuk po kursen; po e shtyn faturën për më vonë, dhe zakonisht të vjen më e madhe.
Përpos kësaj, në aspektin e kapacitetit një anije e tillë për flotën tonë është një zgjidhje që i përket më shumë arkivës sesa fushëbetejës moderne. Praktikisht, paguajmë për ta mbajtur në këmbë një platformë që nuk përmbush më kërkesat aktuale. Për ta afruar me standardet aktuale që të ndërveprojë siç duhet me flotat aleate, do të duhet një paketë e plotë ndërhyrjesh që kushtojnë faktikisht deri në 70% të kostos së një anijeje të re. Do të duhen radarë të rinj, sistem komandë-kontrolli, komunikime të përputhshme me NATO-n, përditësim i armatimit dhe një rikonstruksion i thellë teknik. Por edhe pas tyre baza mbetet e njëjtë, si një platformë e vjetër me kufizime strukturore që nuk zhduken.
Problemi thellohet sepse këto anije nuk janë projektuar për kërcënimet e sotme. Lufta detare moderne përfshin drone, raketa të shpejta, luftë elektronike dhe integrim në rrjete komplekse operacionale. Një anije e vjetër mund të përditësohet pjesërisht, por nuk mund të ridizajnohet për të përballuar në mënyrë të plotë një realitet ku kërkohet gjithnjë e më shumë elementi stealth, që nënkupton reduktimin e gjurmës radarike, termike dhe akustike për të shmangur zbulimin. Një platformë e vjetër nuk ka dizajn të tillë në bazë, dhe këto karakteristika nuk shtohen lehtësisht me modernizim. Kjo do të thotë se ajo mbetet gjithmonë një hap pas.
Edhe nga ana operacionale, disponueshmëria është më e ulët. Anijet e vjetra kalojnë më shumë kohë në mirëmbajtje sesa në det, gjë që për një vend të vogël është problem serioz, sepse nevoja kryesore është prania e vazhdueshme dhe jo një aset që funksionon vetëm kur nuk është në servis. Për më tepër, mungon fleksibiliteti që ofrojnë platformat moderne, të cilat janë projektuar me hapësira modulare, integrim për drone dhe konfigurime të ndryshme misioni, ndërsa një anije e vjetër mbetet e ngurtë në funksionet e saj.
Në fund, kjo është edhe një çështje strategjie. Investimi në platforma të reja ndërton kapacitete për dekadat e ardhshme, rrit prestigjin ndërkombëtar, rrit ndërveprueshmërinë me aleatët dhe krijon bazë për zhvillim teknik e industrial. Investimi në platforma të vjetra bën të kundërtën: menaxhon të kaluarën pa ndërtuar të ardhmen. Në këtë kuptim, riqarkullimi i një anijeje si Libra nuk është një zgjidhje reale, por thjesht një mënyrë për ta shtyrë problemin për më vonë.
Në Adriatik po krijohet një kontrast i pastër detar ku Kroacia dhe Mali i Zi po ndërtojnë kapacitete reale funksionale për të kontribuar tek aleatët, ndërsa Shqipëria po ndërton justifikime. Lufta detare sot është rikthyer fuqishëm në qendër të vëmendjes dhe kapacitetet për të kontribuar përkrah partnerëve si SHBA janë bërë vendimtare për besueshmërinë në aleancë. Mbështetja sot nuk matet më me fjalë apo fotografi samitesh, por me investime reale në kapacitete konkrete dhe me kontribute të prekshme në terren. Kjo bëhet edhe më urgjente në një moment kur tensionet dhe operacionet në Gjirin Persik e kanë shumëfishuar nevojën për prani dhe angazhim real detar.
(A2 Televizion)