Skandali me fondet e bujqësisë në Greqi, Parlamenti i heq imunitetin 13 deputetëve

Nga A2 CNN
22 Prill 2026, 17:46 | Rajoni & Bota

Skandali me fondet e bujqësisë në Greqi, Parlamenti i heq

Parlamenti i Greqisë ka miratuar heqjen e imunitetit për 13 deputetë të përfshirë në një skandal me fondet e bujqësisë, ku dëmi i shkaktuar llogaritet në rreth 23 milionë euro.

Deputetët, pjesë e partisë në pushtet Demokracia e Re, përmenden në dy dosje të reja të Prokurorisë Evropiane, që po heton keqmenaxhimin e subvencioneve përmes agjencisë shtetërore OPEKEPE.

Sipas hetimeve, rreth 20 politikanë, përfshirë ligjvënës aktivë dhe ish-deputetë, janë përfshirë në skemë. Ata dyshohet se kanë ndërhyrë në favor të përfituesve të caktuar, ndërsa përgjimet ligjore i tregojnë duke diskutuar raste konkrete fermerësh.

Të gjithë të përfshirët i kanë mohuar akuzat dhe kanë kërkuar vetë heqjen e imunitetit, duke deklaruar se do të mbrojnë pafajësinë e tyre në gjykatë. Disa prej tyre e kanë justifikuar ndërhyrjen si pjesë të rolit të tyre si përfaqësues të qytetarëve.

Sipas autoriteteve greke, skema mashtruese funksionon që nga viti 2018 dhe lidhet me përfitimin e paligjshëm të subvencioneve përmes deklarimeve të rreme për toka dhe bagëti. Në disa raste, përfituesit nuk kishin asnjë lidhje me bujqësinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos