Kur propaganda qeveritare flet për sovranitet e zhvillim, statistikat flasin për deficit dhe emigrim

Nga A2 CNN
19 Maj 2026, 13:25 | Blog

Kur propaganda qeveritare flet për sovranitet e zhvillim, statistikat

Nga Adri Nurellari

Argumenti i vetëm që kryeministri Kurti dhe oborrtarët e tij vazhdojnë të përdorin sa herë përballen me faktin se Kosova mbetet në fund të Europës për nga ekonomia është: “Po mirë, edhe më parë keq ka qenë.” Sikur të bëhej fjalë për një pacient që del nga terapia intensive me ethe e temperaturë më të lartë dhe mjeku Kurti të thotë gjithë krenari: “Po hajt mo, edhe kur erdhi ishte goxha keq.”

Po, është e vërtetë që Kosova historikisht ka pasur ekonomi të dobët. Mirëpo, pikërisht për këtë arsye pritshmëria e votuesve ishte që kjo qeveri (e cila erdhi me premtime për transformim, drejtësi sociale dhe sovranitet ekonomik) ta ndryshonte trajektoren. Problemi sot është se treguesit strukturorë të ekonomisë reale nuk tregojnë përmirësim konkret por degradim.

Dihet që ekonomia nuk funksionon me recitale patriotike, konferenca morale apo monologë revolucionarë. Ekonomia funksionon me prodhim, eksporte, konkurrueshmëri dhe produktivitet. Sot Kosova mbetet ndër ekonomitë më të dobëta të Europës pothuajse në çdo tregues strukturor serioz. Në renditje lë pas vetëm Ukrainën, një shtet që ndodhet në luftë të plotë, me territore të pushtuara, qytete të bombarduara dhe ekonomi lufte sfilitëse prej më shumë se një dekade.

Për të anashkaluar treguesit sipërfaqësorë dhe për të bërë një radiografi të saktë të modelit ekonomik të një vendi, indikatori më i besueshëm mbetet bilanci tregtar dhe shkalla e mbulimit të importeve nga eksportet. Pikërisht ky tregues strukturor dëshmon dështimin e politikave ekonomike të qeverisë Kurti gjatë mandatit të plotë 2021–2024.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2021 Kosova importonte rreth 6.2 herë më shumë sesa eksportonte. Në vitin 2024 ky raport u përkeqësua në afro 6.8 herë.

Faktet zyrtare janë kokëforta dhe tregojnë se importet u rritën nga €4.68 miliardë në 2021 në €6.37 miliardë në 2024. Deficiti tregtar gjatë mandatit të tij të plotë shpërtheu nga €3.92 miliardë në €5.43 miliardë, duke  u thelluar me mbi €1.5 miliardë.

Kur propaganda qeveritare flet për sovranitet e zhvillim, statistikat

Nga ana tjetër eksportet u rritën vetëm nga €755 milionë në €941 milionë (kryesisht si rezultat i inflacionit global dhe jo i rritjes së vëllimit apo diversifikimit të prodhimit). Struktura e eksporteve të Kosovës mbetet e bllokuar në produkte me vlerë të ulët të shtuar (kryesisht mbetje të metaleve bazë, plastikë bazike dhe lëndë e parë), duke dështuar në tranzicionin drejt eksporteve industriale me vlerë të lartë të shtuar.

Pra jo vetëm që Kosova kishte një nga raportet më të këqija import/eksport në Ballkanin Perëndimor, por gjatë sundimit Kurti deficiti u thellua ndjeshëm. Për ta kuptuar sa rëndë është Kosova, duhet të bëjmë një krahasim me vendet fqinje, ku shohim se në vitin 2024 Serbia importonte vetëm rreth 1.2 herë më shumë sesa eksportonte, Maqedonia e Veriut rreth 1.5 herë, Bosnja rreth 2 herë, Shqipëria rreth 2.5 herë dhe Mali i Zi rreth 4.7 herë.

Po ta shohim retorikën qeveritare, në teori flitet pa ndalur për sovranitet ekonomik, siguri, zhvillim kombëtar dhe dinjitet social. Kjo do duhej të ishte përkthyer në rritje të prodhimin vendor, zgjerim të eksporteve, ulje të varësisë nga importet, në ndërtim të industrisë vendore konkurruese e eksportuese si dhe në garantim të sigurisë e pavarësisë në sektorët nevralgjik prodhues të energjetikës, ushqimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes. Në realitet kemi parë se ka ndodhur pothuajse plotësisht e kundërta.

Kosova sot funksionon si një ekonomi konsumi e mbajtur në këmbë nga diaspora. Duhet kuptuar se një ekonomi mund të rritet statistikisht edhe duke importuar më shumë, duke rritur çmimet apo duke konsumuar remitanca. Zhvillim real ka vetëm atëhere kur rritet aftësia e vendit për të prodhuar, eksportuar dhe krijuar vlerë të shtuar konkurruese.

Në thelb sot, vendi po konsumon me çmime europiane me para të fituara jashtë Kosovës. Kjo është arsyeja pse edhe Prodhimi i Brendshëm Bruto mund të jape formalisht iluzion progresi. Konsumi rritet, qarkullimi rritet, importet rriten, TVSH-ja rritet, statistikat fiskale duken më mirë. Por kjo nuk do të thotë se ekonomia po bëhet më prodhuese apo më konkurruese. 

Ironia bëhet pothuajse cinike kur sheh se “suksesi” më i madh eksportues i Kosovës gjatë kësaj periudhe të drejtimit nga Kurti duket të jetë eksporti i vetë njerëzve. Sipas të dhënave të Eurostat-it, vetëm gjatë viteve 2021–2024, plot 178,308 qytetarë të Kosovës kanë marrë për herë të parë rezidencë në vendet e Bashkimit Europian. Dhe kjo shifër nuk përfshin emigrantët ilegal, azilkërkuesit, ata sezonal dhe ata që mund të kenë shkuar jashtë BE-së në Zvicër, Britani të Madhe, Norvegji apo SHBA.

Këtu qëndron paradoksi tragjik i modelit ekonomik aktual. Të rinjtë largohen, punojnë jashtë, dërgojnë remitanca, remitancat financojnë konsumin, konsumi financon importet, importet fryjnë PBB-në nominale dhe më pas  e gjitha kjo paraqitet si “rritje ekonomike”. Thënë ndryshe, kemi krijuar një model ku emigracioni masiv po maskohet e shitet si zhvillim ekonomik. Në realitet, duket qartë se një pjesë e konsiderueshme e rritjes së konsumit në Kosovë, s’vjen nga rritja e produktivitetit, teknologjisë apo industrializimit, por nga eksporti masiv i kapitalit njerëzor. Në vend që të eksportojë produkte me vlerë të shtuar, po eksporton kapitalin njerëzor që i nevojitet për t’u zhvilluar. 

Dhe kjo është arsyeja pse Kosova sot ngjan më shumë me një ekonomi transferte dhe remitancash sesa me një ekonomi moderne prodhuese. Një ekonomi që importon pothuajse gjithçka, nga ushqimi dhe energjia deri te materialet industriale e produktet e konsumit, ndërsa eksportet mbeten të përqendruara kryesisht në metale bazë, produkte me vlerë të ulët të shtuar dhe pak përpunim industrial.

Një pjesë disproporcionale e kapitalit në Kosovë vazhdon të orientohet drejt sektorëve joprodhues si tregtia, gastronomia, ndërtimi dhe importi, ndërsa industria përpunuese dhe teknologjia mbeten rudimentare. Kjo situatë i përshtatet një varianti të 'Sëmundjes Holandeze' (Dutch Disease) në ekonomi ku fluksi i madh i parave të gatshme nga diaspora (remitancat) mban artificialisht të lartë fuqinë blerëse dhe rrit çmimet e shërbimeve dhe patundshmërisë, duke e bërë prodhimin vendor jo-konkurrues dhe duke dekurajuar investimet në sektorët produktiv.

Historia bashkëkohore na ka treguar se asnjë shtet nuk është zhvilluar duke konsumuar remitanca. Shtetet që dolën nga varfëria në Azinë Juglindore apo Evropën Jugore e Lindore, e bënë këtë përmes industrializimit, eksporteve dhe produktivitetit.

Me pak fjalë,  ndërsa propaganda politike e Vetëvendosjes flet për “epokë të re”, “shtet social”, “dinjitet”, “barazi” dhe “zhvillim”, ekonomia reale po na jep një shuplakë të rëndë duke na demonstruar se Kosova po po prodhon si një periferi e prapambetur dhe e varur që mbijeton duke eksportuar të ardhmen e saj, rininë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos