Protesta e studentëve shqiptarë dhe Ligji për gjuhët në Maqedoninë e Veriut

Nga A2 CNN
18 Maj 2026, 16:15 | Blog

Protesta e studentëve shqiptarë dhe Ligji për gjuhët në

Nga Shezai Rrokaj, profesor i Universiteti të Tiranës

Studentët po protestojnë në Republikën e Maqedoninë e Veriut (RMV) për lejimin e përdorimit të gjuhës shqipe në provmin shtetëror të jurisprudencës. Në fakt, pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2001 dhe ligjit për gjuhët në RMV (2018) kanë lindur gjatë zbatimit të tij keqinterpretime të qëllimshme që cenojnë përdorimin e gjuhës shqipe në fushën e jurisprudencës për pakicat kombëtare, ku përfshihet edhe popullsia shqiptare e këtij shteti. Më konkretisht, disa nga këto keqinterpretime lidhen me interpretimin nga Gykata Kushtetuese të disa neneve të këtij ligji në përputhje me Kushtetutën, ku theksohet parimi kushtetues se ‘maqedonishtja (dhe alfabeti i saj cirilik) është gjuha zyrtare e sistemit juridik në gjithë territorin dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare’.

Ku qëndron problemi?

Në fakt, nuk ndalohet përdorimi i gjuhëve të tjera (pra, dhe i shqipes) në gjykata. Pranohet përdorimi i gjuhëve të tjera në përputhje me ligjin procedural (p.sh. e drejta e palëve për përkthim dhe përdorim të gjuhës së tyre), por ka pasur keqinterpretime që lidhen me ‘gjuhën e procedurës’ (procedural language) dhe ‘gjuhën e palëve në proces’. Në praktikën e gjerë procedura gjyqësore dhe aktet zyrtare mbeten vetëm në maqedonisht (si gjuhë zyrtare), por palët kanë të drejtë të përdorin gjuhën e tyre, me përkthim të garantuar. Pra, ky theksim i rolit primar të maqedonishtes si gjuhë zyrtare, që me sa duket i mbivendoset një gjuhe tjetër zyrtare si shqipja, në sistemin juridik ka krijuar konfuzion me Ligjin e gjuhëve në RMV, ku përdorimi i gjuhëve të tjera lejohet sipas ligjit dhe standardeve të të drejtave të njeriut. Shpërfaqje e këtij ngërçi ligjor institucional është edhe pamundësia e dhënies së provimit shtetëror të jurisprudencës në gjuhën shqipe për studentët që ndjekin fakultetet juridike në gjuhën shqipe. Me një fjalë, me një dorë e jep të drejtën në Ligj për përdorimin e gjuhës shqipe në nivel qëndror dhe vendor, por me dorën tjetër interpretimi kushtetues e heq këtë të drejtë përmes përdorimit vetëm të maqedonishtes si “gjuhë zyrtare e vetme  e sistemit juridik” me të cilën qeveria kinse ‘përligj’ faktin detyrues të dhënies së provimit të jurisprudencs në gjuhën maqedone.

Çfarë kërkojnë studentët?

 Studentët kërkojnë që provimi shtetëror i jurisprudencës, por edhe këto problematika në këtë fushë të mos bien ndesh me të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe të sanksionuar në Kushtetutëdhe në Ligjin për gjuhët. Ndërkaq, këto protesta nxiten dhe mbështeten në këtë rast edhe nga partitë opozitare të vendit, të cilat i shfrytëzojnë këto protesta për ambiciet e tyre politike. Gjithashtu, ka pasur edhe artikulime politike dhe publike nga aktorë dhe instutucione shqiptare edhe jashtë RMV-ut. Pra, siç shihet aktorët politikë ‘nuk ishin aty’ gjithë këtë kohë për ta parë dhe ngritur këtë handicap ligjor që sjell pengesa institucionale, por si mazhorancat e djeshme dhe ato sotme gjithaq nuk ‘u kujtuan’ për të ndrequr këto moskoherenca ligjore ndërinstitucionale, ndërkohë që është detyrë e tyre të bëjnë ligje demokartike.

Në këtë rast, çështja e mbajtjes së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën protestojnë studentët shqiptarë është thelbësore dhe ajo shpërfaq pikërisht këtë mospërputhje ligjore. E drejta për ta ushtruar profesionin në gjuhën amtare nuk është privilegj, por një e drejtë thelbësore për barazi në funksionimin ndërinstitucional, dhe ajo nuk mund t’u privohet në fazën përmbyllëse të formimit profesional pra, duhet t’u garantohet e njëjta e drejtë që ata e kanë gjatë procesit të shkollimit në gjuhën shqipe.

Përse duhet mbështetur protesta?

Pikërisht, këtë të drejtë të tyre e ka mbështetur edhe Universiteti i Tiranës me një deklaratë të rektorit të universitetit prof. dr. Artan Hoxha të berë disa ditë më parë. Kësisoj të ishe e mirëpritur një gjë e tillë edhe Akademia e Shkencave dhe gjithë institucionet e tjera akademike të bënin të njëjtën gjë. Kjo, sepse kërkesat e tyre lidhen me një parim kushtetues themelor siç është parimi i barazisë para ligjit. Ato nuk duhet të trajtohen si “teka” për lëshime të rastit nga pushteti, por si të drejta që burojnë nga rendi juridik ekzistues, dhe që kërkojnë rregullim të qartë ligjor aty ku ka paqartësi. Dëshpëruese është mungesa e mbështetjes nga përfaqësues të pakicave të tjera etnike po të kihet parasysh se pas vitit 2001 dhe në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, e cila nuk garanton të drejta vetëm për shqiptarët, por për të gjitha bashkësitë. Në zbatim të kësaj marrëveshjeje u bë edhe ndryshimi i Kushtetutës së vitit 1992, ku gjuha shqipe dhe gjuhët e tjera jomaqedonase as nuk përmëndeshin. Në amendamentin V u shtua përdorimi i gjuhëve të “komuniteteve”, ose më saktë:  “Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, është gjithashtu gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen” (Amandamenti V, neni 1, paragrafi 2 i Kushtetutës së RM-së). Sot kur shumë nga këto parime gjejnë zbatim konkret në nivel lokal edhe për këto bashkësi etnike, mungesa e solidaritetit bie në ndesh jo vetëm me frymën e solidaritetit, por edhe me vetë logjikën e frymën kushtetuese në RMV, të ndërtuar mbi barazi dhe bashkëjetesë. Po kështu do të mirëpritej një reagim mbështetës edhe nga studentët maqedonë, të cilët ndjekin studimet në fushën e jurisprudencës dhe që më shumë se kushdo tjetër e kuptojnë këtë diskriminim përmes krijimit të një konflikti tinëzar ndërinstitucional.
Në këtë kontekst, protesta po tregon se dallimi ndërmjet barazisë ligjore dhe asaj kushtetuese duhet ndrequr. Barazia ligjore përbën arritje të rëndësishme, por mbetet e kufizuar në mungesë të bazës së qartë kushtetuese. Si e tillë, mbetet e hapur ndaj keqinterpretimeve duke krijuar një kinse barazi para ligjit. Për këtë arsye, përpjekja duhet të synojë afirmimin e barazisë në rendin kushtetues, si garanci e qëndrueshme e të drejtave.

Çfarë fsheh kjo kinse mospërputhje ligjore?

Kjo është pamja e parë e problemit, që duket si një mospërputhje ligjore rastësore dhe që sensibilizimi publik do të shpjerë në rregullimin përkatës. Për mendimn tonë problemi është shumë më i thellë dhe kërkon reflektim të plotë në përqasje me parimet demokratike përpos reminishencave nacionaliste që dalin si stërkëmbësha në këtë rrugëtim demokratik integrues, duke fshehur qëllime që burojnë tinëzisht prej këtij mentaliteti nacionalist. Po e nisim me disa qasje ndaj Ligjit për gjuhët e pakicave kombëtare në RMV të vitit 2018.

Kjo protestë është pasojë e drejtpërdrejtë e Ligjit për Gjuhët në RMV i cili, siç do të shihet më tej, është tinëzisht kaotik lidhur përcaktimin e 20%-it si dhe shtrirjen e tij të plotë në përdorim në disa fusha të veprimtarisë komunitare, përfshi edhe ato të fushës së jurisprudencës. Përgjegjës të drejtpërdrejtë të kësaj gjendjeje janë aktorët politikë të të gjitha kaheve, të mazhorancave dhe opozitave të radhës të cilët, fatkeqësisht, nuk po dinë apo duan të dalin nga sindromi i koncepteve nacionaliste etnike mbi “gjuhët dhe kulturat e pastra” në Ballkan, të cilat kanë përbërë një ndër shtyllat ideologjike të nacionalizmave modernë në rajon, të formësuara kryesisht gjatë shekullit XIX - XX në kuadër të proceseve të ndërtimit të shtet-kombeve. Megjithë ndryshimet demokratike globalizuese dhe sfidave të integrimit vijojnë ende, në një mënnyrë a në një tjetër të shfaqen koncepte që mbështeten mbi idenë se çdo komb duhet të ketë një identitet të vetin, të veçantë, homogjen dhe të “pandotur”, i cili shprehet përmes një gjuhe “të pastër” dhe një kulture autentike, që përjashton në një mënyrë a në një tjetër etnitë e tjera bashkë me gjuhët dhe kulturat e tyre. Nga ky këndvështrim gjatë një periudhe dyshekullore në Ballkan gjuha u konsiderua si kriteri kryesor për përcaktimin e përkatësisë së vetme kombëtare.

Paralelisht me gjuhën, kultura u konceptua si një trashëgimi e pandërprerë dhe homogjene, ku folklori u kodifikua si “autentik kombëtar”, mitet historike u riinterpretuan për të krijuar lidhje dhe vazhdimësi, deri edhe iluzore qysh prej antikitetit; elementet e përbashkëta ndërkulturore të komuniteteve të tjera ose u minimizuan, ose edhe u përjashtuan. Mirëpo sot është më e qartë se Ballkani ka qenë historikisht një hapësirë ndërveprimi intensiv kulturor, sidomos që nga ai bizantin, osman apo mesdhetar në tërësi, ku “pastërtia” apo uniciteti etnik është më shumë një krijesë ideologjike sesa një fakt empirik sui generis.

Studimet moderne në gjuhësi dhe antropologji, por edhe ato  historike dhe politike i hedhin poshtë këto ide esencialiste, ku gjuha, kultura, etnia shihen përmes një purizmi të skajshëm, duke krijuar në këtë mënyrë konflikte antropoemike të lidhura me mospraninë e “tjetrit”.

Nga ky parashtrim kuptohet konflikti ligjor në RMV, për të cilin protestojnë studentët është reminishencë e konceptit të “etnive, gjuhëve dhe kulturave të pastra” në Ballkan si produkt i nacionalizmave modernë dhe jo një realitet historik e shoqëror sui generis i popullsive maqedone dhe shqiptare dhe të tjera për sendërtimin e një shtet-kombi plural me kontribute historike të përbashkëta. Edhe kjo protest dëshmon në thelb një qasje e ngurtë, në thelb antihistorike, që ka prodhuar dhe prodhon ngaherë konflikte, tensione dhe përjashtime për popullsitë dhe komunitetet e tjetërfarta, përmes një trysnie “asimiluese” të kontributit të tyre në qenësinë identitare të kombit a shtetit përkatës.

Konventa Kuadër e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe lidershipi politik

Në këtë rast lidërshipi politik dominues ka prirje ta deformojë parimin demokratik të shtetit të së drejtës nëpërmjet shfrytëzimit të përkatësisë etnike për qëllime pragmapolitike si dhe duke nxitur nacionalizmin si ideologji dhe si mjet për të arritur fitore politike për marrjen e pushtetit dhe qeverisjen e vendit.

Mirëpo Konventa Kuadër e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare, e ratifikuar me ligjin nr.8496, datë 3.6.1999 dhe marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut të cilat, ndonëse jo detyruese për shtetet që i kanë nënshkruar, këshillojnë hartimin e ligjeve specifike, ku objektivi duhet të jetë përmirësimi i kuadrit ligjor dhe politikave për mbrojtjen e komuniteteve më të vogla. Fryma e kësaj Konvente është mbrojtja e të drejtave të pakicave dhe garantimi i ushtrimit të të drejtave specifike të njeriut për çdo person që i përket një pakice shtetërore, duke theksuar nxitjen e identitetit dallues të tyre si tipar thelbësor i një shoqërie të integruar, e cila garanton edhe me ligj të drejtën natyrore të qenies njerëzore: mosdiskriminimin dhe barazinë e plotë të shtetasve përballë të drejtave njerëzore. Mirëpo shteti i Maqedonisë së Veriut ende nuk po e kupton se historikisht është një shtet-komb multietnik, që do të thotë se është i të gjithëve maqedonëve, shqiptarëve dhe pakicave të tjera përbërëse.

Marrëveshja e Ohrit dhe shqiptarët si element shtetformues në RMV.

Për më tepër, në dallim nga pakicat e tjera kombëtare, koncepti element shtetformues pas Marrëveshjes së Ohrit i ravijëzon shqiptarët si pjesë e domosdoshme për qenien e shtetit, pa të cilët nuk mund të jetë shteti kudo, në gjithë shtrirjen shtetërore, si në nivel qendror dhe në atë vendor. Por çfarë ndodh në fakt: koncepti pakicë kombëtare në Ligj tkurret në vetëm përfitim të drejtash në nivel të vetadministrimit lokal dhe vetëm aty ku shqiptarët janë jo më pak se 20% në qeverisjen vendore. Ndërkaq, popullsia e një ‘komuniteti etnik’ me tiparin element shtetformues e bën krejt të dallueshëm atë prej emërtesës gjithëpërfshirëse ‘pakicë kombëtare’, sepse epërsia e madhe numerike brenda popullsisë së shtetit i jep kësaj kombësie një avantazh cilësor që kushtëzon qenien dhe funksionimin e vetë shtetit multietnik si emërtesë.

Problematika e 20%-it që i bën shqiptarët komunitet shtetformues të RMV  

Propozimi i parë është që njohja e përdorimit të gjuhës shqipe në gjithë shtrirjen shtetërore, pavarësisht faktit nëse në disa komuna ata janë më pak ose më shumë se 20%, dhe ky kriter të mos jetë kushtëzues për komunat ku ka shqiptarë me më pak se 20%. Kësisoj Ligji duhet të parashikojë në nivel vendor që, aty ku përmbushen kushtet sipas ligjit për Arsimin Parauniversitar në RMV për mësimdhënie në gjuhën shqipe, ajo të realizohet, pavarësisht faktit nëse plotësohet apo jo në atë komunë kriteri numerik 20%.

Problemi i dytë pas konceptit të 20%-it, që mendojmë se duhet rishikuar, lidhet me përgjigjen ndaj pyetjes a është i drejtë, i plotë, gjithëpërfshirës dhe shkencërisht i përligjur koncepti ‘pakicë kombëtare’ për realitetet etnike në RMV, ku përfshihen shqiptarët, bullgarët, serbët, vllahët, turqit boshnjakët e ndonjë komunitet tjetër? Në fakt, deri më sot në literaturën studimore është folur për minoritete kombëtare, me të cilat identifikohen shqiptarët, bullgarët dhe serbët, kurse vllahët, romët, turqit dhe boshnjakët janë identifikuar si pakica etno-gjuhësore. Kjo ndarje, e cila mbështetej mbi kritere historike, gjuhësore e kulturore, është eliminuar në ligj, përmes përdorimit të termit ombrellë pakicë kombëtare (alias gjuhë komuniteti). Futja nën një ombrellë është një deformim shkencor historik, etnik, kulturor, gjuhësor e gjeografik, i vetë këtyre ‘komuniteteve’ dhe i raportit të tyre me entitetin kombëtar, e bërë kjo kinse prej pragmatizmit semplist të plotësimit të këtij prioriteti të vënë si kusht prej Konventës Kuadër.

Kësisoj pyetja që shtrohet në Ligjin për pakicat kombëtare në RMV lidhet me pyetjen a janë pakicë kombëtare apo element shtetformues shqiptarët në RMV. Cili është dallimi midis konceptit pakicë kombëtare dhe konceptit element shtetformues?

Po të kundrohet me kujdes realiteti juridik i shqiptarëve prej Marrëveshjes së Ohrit e këtej ai i njeh shqiptarët në RMV si element shtetformues. Por duket qartë se ky fakt juridik kushtetues nuk është reflektuar sa dhe si duhet te Ligji për Gjuhët, ku shqipja nuk veçohet prej gjuhëve të pakicave (shih gjuhë komuniteti), por përmblidhet nën të njëjtën ombrellë emërtese si gjuhët e kombësive të tjera. Siç do të përshquhet më tej në këtë qasje Ligji për Gjuhët ka vendosur kriterin numerik 20%, me të cilin bëhet një dallim në disa të drejta që kombësitë përkatëse i fitojnë në nivel të qeverisjes qendrore dhe atë vendore, porse ai është mëdyshas për sa i përket dallimit në aspektin cilësor pakicë kombëtare/element shtetformues. Ligji hapërdahet në një sërë paqartësish shkencore konceptuale që i kemi këqyrur qysh prej Preambulës ligjore e në vijim gjatë shtjellimit të përmbajtjes, ku gjithçka sheston një ndërdymje tinëzare mes të drejtave gjuhësore të këtyre kombësive si në nivel qendror ashtu edhe në atë të vetadministrimit lokal.

Hileja e përcaktimit të 20%-shit?

Një nga parimet e Konventës Kuadër përcakton se institucionet publike në nivel qendror dhe vendor mbledhin të dhëna në lidhje me identifikimin e personave që u përkasin pakicave kombëtare, bazuar në të drejtën e vetidentifikimit të këtyre personave dhe në dokumentacionin e gjendjes civile, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale të vendeve përkatëse.

Mirëpo kriteri i vetëdeklarimit apo vetidentifikimit është i pamjaftueshëm për të qartësuar e përcaktuar qenësinë si pakicë, apo edhe si element shtetformues, po të kemi parasysh realitetin ballkanik, ku mjaft qytetarë  për arsye të pragmatizmit për mbijetesë po ndërrojnë nënshtetësi, kombësi, emër e fe, siç është, bie fjala, rasti i fundit me pasaportat e Bashkimit Evropian (maqedonas dhe shqiptarë që vetdeklarohen si bullgarë për hir të marrjes së pasaportës bullgare). Ballkani në tërësi dhe në mënyrë të veçantë RMV, për këto çështje nuk mund të mbështeten vetëm te censusi, sido që ai është një metodë vetëdeklarimi gjithandej e përdorur sot për të marrë të dhëna të ndryshme të popullsisë, përfshirë edhe përkatësinë gjuhësore. Si edhe për shtete të tjera, popullsitë e RMV nuk i kanë shpëtuar trysnisë së dy faktorëve të rëndësishëm: nga njëra anë, ideologjizmit nacionalist, që lidhet me supremacinë dominuese të etnisë kryesore ndaj etnive numerikisht më të vogla dhe, nga njëra tjetër, pragmatizmit utilitarist të globalizmit, ku qytetarët ndërrojnë edhe nënshtetësinë e madje edhe etninë në këmbim të një pasaporte të një vendi të BE-së, si bie fjala, rasti i mësipërm me pasaportën bullgare etj.

Protesta e studentëve dhe përdorimi i gjuhës amtare si e drejtë natyrore përpara se të jetë një e drejtë ligjore

 Duke e këqyrur ligjin në tërësi, nuk mund të mos shtrohen disa pyetje si, bie fjala, përse pati një ekzaltim bjerraditës të lidërshipit politik shqiptar në të tria shtetet, i cili, në mënyrë të çmeritur, miratimin e Ligjit për Gjuhët, e cilësoi si fitore të shqiptarëve, kur asëll ky fakt është thjesht një e drejtë natyrore e qenies njerëzore, e sanksionuar në konventat ndërkombëtare dhe që përbën vetë thelbin e demokracive institucionale? Së dyti, a u arrit me këtë ligj gjë tjetër më shumë se ajo që, shumë vite më parë, u njoh me emrin Marrëveshja e Ohrit (Marrëveshja Kornizë e Ohrit 2001) midis partive politike në Maqedoni? Së treti, dhe më kryesorja, a ishte realisht fitore?; a ua ktheu ky ligj shqiptarëve atë që u takon, si popullsi shtetformuese. Protesta dhe shumë aspekte të tjera, që i vumë në dukje më lart, na dëshmojnë se çështjet kanë mbetur të hapura dhe do të mbeten të tilla sa kohë do të jetë mendësia e supremacisë nacionaliste dhe loja e kombulleshkës që bëjnë partitë politike për arsye pragmatiste.

Gjuha shqipe zyrtare në përdorim midis nivelit qendror dhe atij vendor

Çështja bëhet edhe më e qashtër nëse shtrojmë pyetjen për të drejtat natyrore gjuhësore të shqiptarëve në shtetin e MV. Ky ligj nuk jep një përgjigje ad hoc. Sepse në fakt shqiptarët përfitojnë të drejta gjuhësore në nivele qendrore dhe vendore vetëm në ato territore ku ata përbëjnë 20% të banorëve rezidentë. Ja se çfarë thuhet në ligj: “Në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizata dhe ente, komisione …. gjuhë zyrtare përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj është edhe gjuha që flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Mirëpo, tinëzisht, më tej në ligj thuhet se “Në njësitë e vetqeverisjes lokale gjuha dhe shkrimi që e përdorin më së paku 20% e qytetarëve është gjuhë zyrtare, përveç gjuhës maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Për përdorimin e gjuhëve dhe alfabetin që e përdorin më pak se 20% e qytetarëve në njësitë e vetvendosjes lokale, vendosin organet e njësive të vetqeverisjes lokale. Kjo do të thotë se aty ku shqiptarët janë më pak se 20% vetëm po deshën maqedonasit ata mund të përfitojnë të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe. Ja pra maqedonësit nuk duan që studentët shqiptarë të japin provimin në gjuhën shqipe. Shumë e thjeshtë!!! Më shqip, kjo do të thotë se realisht ky ligj nuk ua njeh të drejtën e përdorimit të gjuhës shqiptarëve duke marrë si kriter 20 % në plan shtetëror, kudo ku ata ndodhen, por vetëm në ato territore të vetadministrimit lokal, ku ata përbëjnë 20%. Po si i bëhet për ato komuna ku shqiptarët janë më pak se 20%, bie fjala 19%, 18% apo 15%?

Nga ana tjetër, nëpërmjet këtij ligji krijohet një problematikë e rëndë sociale që ka të bëjë me lëvizjen e lirë të qytetarëve në territor, pasi cenohet lëvizja e lirë demografike e shqiptarëve në hapësirën shtetërore maqedonase, sidomos në ato territore ku ata nuk përbëjnë 20% ngase u duhet të përballen me murin gjuhësor të vetëm gjuhës maqedonase zyrtare dhe humbin të drejtën që kishin për gjuhën e tyre në territorin ku ishin 20%.

Jam i mendimit se e vetmja zgjidhje e drejtë është njohja e përdorimit të gjuhës shqipe në gjithë shtrirjen shtetërore, pavarësisht faktit nëse në disa komuna ata janë më pak ose më shumë se 20%, dhe ky kriter të mos jetë kushtëzues për komunat, ku shqiptarët janë më pak se 20%. Kjo sepse ushtrimi i të drejtës së përdorimit të gjuhës nga niveli qendror në atë vendor lë jashtë territore ku shqiptarët janë rezidentë me më pak se 20% dhe nuk ka arsye t’i luten përsëri shumicës maqedonase vendore për të ‘vënë dorën në zemër’.

Kësisoj Ligji duhet të parashikojë në nivel vendor që, aty ku përmbushen kushtet sipas ligjit për Arsimin Parauniversitar në RMV për mësimdhënie në gjuhën shqipe, ajo të realizohet pavarësisht faktit nëse plotësohet apo jo në atë komunë kriteri numerik 20%. Duhet të prevalojë pra mbi Ligjin për Gjuhët, si e drejtë universale, e drejta për arsimim në gjuhën amtare sipas Ligjit të Arsimit Parauniversitar. E drejta për arsimim në gjuhën amtare është një e drejtë natyrore që lidhet me arsyen e qenësisë së qenies njerëzore. Është e drejtë themelore, jashtë çdo ideologjie e ca më pak e varur nga kritere numerike, si rasti në fjalë. E drejta themelore njerëzore, ku futet edhe gjuha, para se të jetë një e drejtë shtetërore ajo është një e drejtë në thelb, që buron prej vetë ekzistencës së qenies. Dhe shtetet me demokraci funksionale ngrihen mbi këto themele.

Prandaj shqiptarët duhet të heqin dorë nga kompleksi i inferioritetit në raport me fqinjët. Ne duhet të heqim dorë nga mendësia për ta konsideruar si fitore një të drejtë natyrore, për më tëpër kur ajo është e sanksionuar në konventat ndërkombëtare të shteteve me demokraci funksionale. Liria, ushtrimi dhe mbrojtja e të drejtave të kombësive të tjera nuk duhet të shndërrohet as në paragjykime e as në lëshime për shkak të trysnive të jashtme. Të drejtat themelore janë të drejta natyrore; janë realitete që demokracitë funksionale i trajtojnë si produkte institucionale për bashkëjetesën e etnive, të gjuhëve dhe kulturave si dhe për përfitimin e ndërsjellë të gjithë shoqërisë urbane.

Në përfundim mund të them se për sa i përket gjuhës shqipe në RMV ka ende shumë rrugë për të bërë, por mbudhja duhet të nisë prej të kuptuarit e krijimit të vetëdijes së nevojshme të shoqërisë urbane të integruar e, mandej, të ndryshuarit dhe të zbatuarit të Ligjit për Gjuhët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos